ELBASAN ,08 gusht 2026/Albania Express News/– Komisariati i Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale të DVP Elbasan, ka finalizuar me sukses dy operacione policore të koduara “Last Fire” dhe “Mbikëqyrja”, në kuadër të luftës kundër veprimtarisë kriminale.
Operacioni “Last Fire” çoi në zbardhjen e dy rasteve të djegies së qëllimshme të automjeteve, ndërsa në pranga u vu Ervis Kuka, 43 vjeç, banues në Elbasan.
Sipas policisë, Kuka dyshohet se më 7 gusht 2026, rreth orës 01:00, ka djegur me lëndë djegëse, konkretisht benzinë, një automjet në përdorim nga një 26-vjeçar, banues në Elbasan.
Nga hetimet e thelluara të kryera nga grupi hetimor, 43-vjeçari dyshohet gjithashtu si autor i djegies së dy automjeteve të tjera, në pronësi të një shtetasi tjetër, ngjarje e ndodhur më 28 qershor 2026.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit të dytë, “Mbikëqyrja”, shërbimet e Policisë kanë arrestuar në flagrancë Dervish Rusta, 32 vjeç, banues në Elbasan.
Rusta u kap në lagjen “Brigada 17 Sulmuese”, ndërsa gjatë kontrollit fizik iu gjet një armë zjarri pistoletë, 35 fishekë dhe një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë.
Në vijim të veprimeve procedurale, 32-vjeçari u arrestua për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Arma e zjarrit, municioni luftarak dhe lënda narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Policia bën me dije se operacionet janë zhvilluar mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale.
Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

