Dea Boriçi, e reja nga Shkodra që përfaqësoi Shqipërinë në një nga programet më prestigjioze në SHBA

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka vlerësuar publikisht arritjen e jashtëzakonshme të Dea Boriçit, një të reje nga Shkodra, e cila përfaqësoi Shqipërinë në programin prestigjioz Ben Franklin Transatlantic Fellowship, një nga iniciativat më të njohura që synon fuqizimin e udhëheqësve të rinj në nivel ndërkombëtar. Pas katër javësh mësimi intensiv dhe shkëmbimi kulturor në Shtetet e Bashkuara, Dea është rikthyer në Shqipëri me një bagazh të pasur njohurish mbi diplomacinë, median dhe parimet kushtetuese amerikane, jo thjesht në teori, por në mënyrën se si ato zbatohen në praktikën e përditshme.

Sipas Ambasadës Amerikane, programi synon të fuqizojë të rinjtë për të ndërtuar komunitete më të forta në vendet e tyre dhe për të krijuar ura bashkëpunimi përtej kufijve.

Dea Boriçi nuk është e panjohur për ata që ndjekin zhvillimet rinore në Shqipëri. Ajo ka qenë një zë i rëndësishëm i të rinjve shkodranë dhe shqiptarë për vite me radhë. Ish-nxënëse në Gjimnazin “28 Nëntori” në Shkodër, Dea është dalluar për aktivizmin e saj në fushat e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve, barazisë gjinore, si dhe pjesëmarrjes së të rinjve në vendimmarrje.

Ajo ka qenë anëtare aktive e Bordit Këshillimor të Adoleshentëve pranë UNICEF Albania, ku ka kontribuar në hartimin e politikave më gjithëpërfshirëse për të rinjtë dhe ka këshilluar staf profesional në lidhje me nevojat reale të brezit të ri. Për katër vite radhazi, Dea përfaqësoi nxënësit e Shkodrës në Parlamentin e Nxënësve të Shqipërisë, ku mbajti pozita të rëndësishme si nënkryetare e Komisionit për Sigurinë në Shkolla dhe Parandalimin e Dhunës, si dhe kryetare e DRAP Lezhë, duke kontribuar në ngritjen e zërit të nxënësve në nivel vendor dhe kombëtar.

Dea Boriçi është angazhuar si aktiviste me World Vision Albania, si dhe si vullnetare në disa organizata joqeveritare lokale, ku ka ndihmuar në zhvillimin e projekteve që prekin drejtpërdrejt komunitetin. Një nga nismat më të spikatura të saj është “Gamifying Shkodra”, një projekt inovativ që ndërthur edukimin me urbanistikën, duke përdorur metodologjinë e lojës për të përfshirë fëmijët dhe të rinjtë në planifikimin e hapësirave publike.

Projekti është zbatuar me sukses në disa shkolla të qytetit dhe synon të zgjerohet më tej.Së fundmi, ajo ka qenë bashkëthemeluese e klubit “Girl Up 28”, pjesë e rrjetit global të mbështetur nga United Nations Foundation, me fokus fuqizimin e vajzave, zhvillimin e lidershipit dhe advokimin për barazinë gjinore në komunitet.

Në një postim zyrtar, Ambasada Amerikane në Tiranë u shpreh:“Mirë se u ktheve, Dea! Pas katër javësh mësimi dinamik dhe shkëmbimi kulturor me programin Ben Franklin Transatlantic Fellowship, Dea Boriçi fitoi një perspektivë të re mbi diplomacinë, median dhe parimet kushtetuese amerikane në praktikë.

Ajo është mirënjohëse që pati mundësinë të ishte pjesë e një programi që mishëron frymën e udhëheqjes amerikane, duke fuqizuar udhëheqësit e rinj për të ndërtuar komunitete më të forta në vendet e tyre dhe për t’u lidhur përtej kufijve.” Arritja e Deas nuk është vetëm një histori personale suksesi. Ajo përfaqëson një brez të ri shqiptarësh që nuk presin të jenë “e ardhmja”, por veprojnë që tani për të ndërtuar një realitet më të drejtë, gjithëpërfshirës dhe të barabartë.

Përkushtimi, vullneti dhe vizioni i saj janë një frymëzim për të gjithë të rinjtë që duan të kontribuojnë në vendin e tyre dhe një dëshmi se përfaqësimi i Shqipërisë në nivele ndërkombëtare nuk ka të bëjë vetëm me të kaluarën, por edhe me potencialin e gjeneratës së re.

albaniaexpress.al

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Elbasani në qendër të fushatës “Mbrojtja Civile në Turne 2025”!

Në Ditën Ndërkombëtare për Reduktimin e Riskut nga Fatkeqësitë,...

Kur monopatinat bëhen më të rrezikshme se korrupsioni

Nga Lutfi Dervishi Monopatinat, rreziku kombëtar numër 1 Ministrja Diella, pas...

Gjermania e pathyeshme, Franca ndalet në Islandë

Përveç ndeshjes së Kosovës, mbrëmjen e kësaj të hëne...