CËRRIK ,14 korrik 2026/Albania Express News/-Policia ka dhënë informacionin paraprak lidhur me aksidentin e rëndë të ndodhur në aksin rrugor Mollas–Gostimë, në territorin e bashkisë Cërrik, ku dy persona humbën jetën dhe një tjetër mbeti i plagosur.
Sipas të dhënave zyrtare, në aksident janë përfshirë dy automjete, njëri i drejtuar nga shtetasi Sajmir Muça, 38 vjeç, dhe tjetri nga shtetasi Qemal Çala ,rreth 63 vjeç.
Përplasja ka rezultuar fatale për drejtuesin e automjetit Q. Ç., i cili ka humbur jetën në vendngjarje. Po ashtu, ka ndërruar jetë edhe pasagjeri që udhëtonte me të, Drilon Tabaku rreth 22 vjeç.
Nga aksidenti është plagosur edhe drejtuesi i automjetit tjetër, Sajmir Muça , 38 vjeç, i cili është transportuar me urgjencë në spital, ku po merr ndihmën mjekësore dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryejnë të gjitha veprimet procedurale për të dokumentuar ngjarjen dhe për të zbardhur shkaqet e plota të këtij aksidenti tragjik.
Sipas identifikimit të viktimave, personat që humbën jetën janë Qemal Çala, 63 vjeç, dhe Drilon Tabaku, 22 vjeç.




