PRRENJAS ,10 korrik 2026/Albania Express News/-Komuniteti i Prrenjasit është zgjuar këtë të premte me një lajm të trishtë. Është ndarë nga jeta inxhinieri dhe intelektuali i nderuar Haki Polisi, një prej qytetarëve të respektuar të zonës së Pishkashit, i cili për dekada me radhë dha kontribut të vyer në sektorë të rëndësishëm të ekonomisë dhe administratës publike. Lajmi ka sjellë pikëllim te familjarët, miqtë, ish-kolegët dhe të gjithë ata që e njohën nga afër.
Përmes një mesazhi ngushëllimi të publikuar në rrjetet sociale, Bashkia Prrenjas e kujton Haki Polisin si një profesionist të përkushtuar, bashkëshort dhe baba të dy fëmijëve, i cili me punën, karakterin dhe integritetin e tij fitoi respektin e kolegëve dhe të gjithë atyre që patën fatin ta njohin.
Gjatë karrierës së tij shumëvjeçare, inxhinieri Haki Polisi shërbeu në pozicione të ndryshme drejtuese dhe dha një kontribut të rëndësishëm në sektorin e shfrytëzimit të minierave në zonën e Prrenjasit. Më pas ai punoi në stabilimentin e sharrave në Stravaj, ndërsa një pjesë të rëndësishme të aktivitetit profesional e zhvilloi edhe pranë degës së ALUIZNI-t në Elbasan, ku vijoi të punonte deri në daljen në pension.
Pas përfundimit të karrierës profesionale, vitet e pensionit i kaloi pranë fëmijëve të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në mesazhin e saj, Bashkia Prrenjas u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, të afërmve, miqve dhe kolegëve, duke vlerësuar figurën dhe kontributin e Haki Polisit në zhvillimin e institucioneve dhe komunitetit.
“Lamtumira e tij lë pas kujtimin e një njeriu të ndershëm, punëtor dhe të përkushtuar, që do të mbetet në kujtesën e të gjithë atyre që patën fatin ta njohin.”
Pushofsh në paqe, Haki Polisi!
🕊️

