Aksident gjatë natës në Gramsh, kali i del përpara motorit! Çifti i bashkëshortëve dërgohet me urgjencë në Spitalin e Traumës

GRAMSH ,9 korrik 2026/Albania Express News/-Një aksident rrugor është regjistruar gjatë orëve të natës në fshatin Çekrez, në bashkinë e Gramshit, ku një çift bashkëshortësh ka mbetur i plagosur pasi motori me të cilin po udhëtonin është përplasur si pasojë e daljes së papritur të një kali në rrugë.

Sipas informacioneve paraprake, bashkëshortët po lëviznin me motor në segmentin rrugor që përshkon rrugën rurake të Çekrezit, kur një kalë u ka prerë rrugën në mënyrë të menjëhershme. Për shkak të distancës së shkurtër dhe pamundësisë për të shmangur përplasjen, drejtuesi i motorit ka humbur kontrollin e mjetit, duke bërë që të dy të rrëzoheshin në asfalt.

Për pasojë, burri dhe gruaja kanë pësuar lëndime të ndryshme trupore. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Gramshit dhe ekipi i urgjencës mjekësore, të cilët kanë dhënë ndihmën e parë dhe kanë transportuar të plagosurit drejt Spitalit të Gramshit.

Mjekët kanë kryer ekzaminimet e para dhe i kanë mbajtur nën monitorim për rreth një orë. Duke parë gjendjen e tyre shëndetësore dhe nevojën për trajtim më të specializuar, është vendosur që çifti të transportohej me ambulancë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po marrin kujdesin e nevojshëm mjekësor.

Ndërkohë, Policia ka nisur veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Paraprakisht dyshohet se shkaku i ngjarjes ka qenë dalja e papritur e kafshës në karrexhatë, çka i ka pamundësuar drejtuesit të motorit të shmangte përplasjen.

Ky aksident rikthen në vëmendje problematikën e kafshëve të lëna të lira në akset rrugore, veçanërisht gjatë orëve të natës, kur dukshmëria është e kufizuar dhe rreziku për aksidente rritet ndjeshëm , prandaj drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar në zonat rurale, ndërsa pronarët e kafshëve të respektojnë detyrimet ligjore për mbajtjen e tyre nën kontroll, me qëllim shmangien e ngjarjeve të tilla.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

PD voton kundër rezolutës së integrimit në mbledhjen e përbashkët me PE: Na rrëzuan amendamentet. Reagon PS: Tentuan të deformonin dokumentin

TIRANË,9 korrik 2026/Albania Express News/-Komiteti Parlamentar për Stabilizim-Asociim Shqipëri-Bashkimi...

Kryeministri Rama ndan fotoalbumin nga samiti i NATO-s në Ankara

TURQI, 9 korrik 2026/Albania Express News/- Kryeministri Edi Rama...