Koncerti i Kanye West në Tiranë, Rama: Mundësi historike promovimi. Sorrat dhe korbat u turrën me llogari manipuluese

TIRANË ,8 korrik 2026/Albania Express News/-Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me koncertin e Kanye West në Tiranë, duke mbrojtur vendimin për financimin e aktivitetit me 4 milionë euro.

Rama argumenton se eventi do të sjellë përfitime ekonomike dhe promovim ndërkombëtar për Shqipërinë, ndërsa ka kritikuar reagimet kundërshtuese në rrjetet sociale.
Reagimi i plotë

4 MILIONË EURO në minutën e fundit, për të mos turpëruar Shqipërinë, në sytë e afro 25 mijë të huajve nga 80 shtete që gjermësot kanë blerë me kohë biletat për Kanye West;
për të mos humbur një mundësi fantastike promovimi të Shqipërisë Turistike, për një nga komunitetet më të mëdha të botës, dashamirët e muzikës; për të stimuluar ekonominë, e cila sa për një shembull, sipas UEFA-s, pati një hyrje prej 160 milionë eurosh nga Finalja e Conference League-s, ndërkohë që nga ky koncert – në kushtet e vështirësuara artificialisht prej dështakzemërakëve – ne llogarisim jo më pak se 100 milionë euro të ardhura. Mjafton të shihet shpërthimi i rezervimeve në booking.com për të premten, të shtunën e të dielën, për të krijuar një ide të përfitimit direkt ekonomik për familjet, biznesin dhe arkën e bashkisë e të shtetit, nga rritja e konsumit, pa llogaritur këtu fare përfitimin e shtrirë në kohë.
Tani sorrat dhe korbat e kanaleve sociale, janë turrur me një furi glasash duke bërë llogarira perverse prej manipulatorësh të paskrupullt, e duke bërë sikur qajnë hallin e popullit dhe deri edhe të sëmurëve me kancer, që do mbeten pa ilaçe si pasojë e “koncertit privat”, siç e quajnë djallëzisht.
Por mjerë ky popull e mjerë çdo i sëmurë, po të mbeteshin në kthetrat e këtyre zabrahanëve digjitalë, të mbështetur me këtë rast nga duart e armiqve e dashakëqinjve të Shqipërisë, të cilët lëshojnë papushim helm në kanalet sociale përmes dhjetëra mijëra profilesh fallco, duke përfituar nga etja për pushtet dhe kokëboshësia e uzurpatorëve të protestës qytetare.
U kujtoj të tërëve se vetëm pak ditë më parë, ne nxorrëm 15 milionë Euro plus vetëm për ilaçet e të sëmurëve me kancer dhe 5 milionë për aparatura mjekësore; dyfishuam mbështetjen për personat me aftësi të kufizuar dhe mbështetëm kujdestarët e tyre; dyfishuam mbështetjen për fëmijët me aftësi të veçanta; dyfishuam financimin e Start Up-eve; dyfishuam garancinë sovrane për programin dyfisho biznesin tënd; financuam një paketë të tërë ekstra për zhvillimin urban e rural, mbrojtjen dhe të gjitha këto e të tjera akoma ishin në Aktin Normativ të fundqershorit, ku qershia mbi tortë ishte padyshim bonusi i pensionistëve.
Tani çfarë duan sorrat dhe korbat që e privatizuan djallëzisht protestën qytetare të flamingove, duke i detyruar të shtegtojnë larg bulevardit?
Shumë e thjeshtë:
Duan të ndalin dhe kthejnë mbrapa Shqipërinë! Me dhunën e arbitraritetit, të sharjeve, të shpifjeve, të akuzave dhe kërcënimeve për këdo që mendon ndryshe prej tyre!
Ta harrojnë! Shqipëria nuk ndalet dhe nuk ka asnjë shans të kthehet mbrapsh

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Inspektori Përgjithshëm Dashnor Sula takim me inspektorët e Fierit, në fokus siguria ushqimore! Paralajmëron kontrolle të shtuara

FIER ,8 korrik 2026/Albania Express News/-Inspektori i Përgjithshëm Dashnor...

Media franceze: Nga simbol i izolimit në atraksion turistik, bunkerët që shënuan historinë e Shqipërisë

TIRANË ,8 korrik 2026/Albania Express News/-Media franceze “SciencePost.fr” i...

Fotoja familjare e samitit të NATO-s në Ankara

ANKARA /TIRANË, 8 korrik 2026 /Albania Express News/- Kryeministri...

Eliminimi i turpshëm i Brazilit nga Kupa e Botës, avioni i kombëtares kthehet në Rio De Janeiro me vetëm një lojtar

BOTËRORI 2026/Albania Express News/-Humbja e Brazilit ndaj Norvegjisë i...