Irma Kurti :Gruaja e jashtëzakonshme që e ktheu poezinë shqiptare në një zë botëror,me mbi 120 libra dhe 100 çmime ndërkombëtare, rrëfimi për jetën mes poezisë dhe muzikë

TIRANË ,5 korrik 2026/Albania Express News/-Janë të paktë personat  që e kanë ndërtuar rrugëtimin e tyre artistik me talent, përkushtim dhe një dashuri të pakushtëzuar për fjalën. Një prej tyre është poetja, shkrimtarja, autorja e teksteve të këngëve dhe përkthyesja Irma Kurti, një nga zërat më të njohur dhe më të përkthyer të letërsisë shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Me mbi 120 libra të botuar, vepra të përkthyera në 40 gjuhë dhe të publikuara në 24 vende të botës, si edhe me dhjetëra çmime prestigjioze ndërkombëtare, Irma Kurti ka arritur të ndërtojë një urë të qëndrueshme mes kulturave përmes poezisë, prozës dhe artit të fjalës. Ajo mbetet gjithashtu një emër i dashur për publikun shqiptar si autore e disa prej teksteve më të njohura të këngës shqiptare.

Në një intervistë ekskluzive për portalin “Një Dritare”, Irma Kurti rrëfen fillimet e saj në letërsi, lidhjen e veçantë me muzikën, sfidat e një krijueseje që ndërtoi suksesin larg atdheut, si edhe filozofinë që e ka shoqëruar në çdo etapë të jetës dhe krijimtarisë. Me ndershmëri dhe ndjeshmëri, ajo flet për frymëzimin, për prindërit që mbeten drita e udhës së saj, për përgjegjësinë e shkrimtarit në kohët moderne dhe për besimin se letërsia vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm të paqes, dashurisë dhe shpresës.

INTERVISTA

Ju keni nisur të shkruani që fëmijë , a ka qenë shkrimi një arratisje, një pasion apo një mision?

Kur fillova të shkruaja mbaja në shpirt dëshirën e një fëmije për të hedhur mendimet në letër. Isha 10 vjeç kur im atë më regjistroi në rrethin letrar në Elbasan, ku kalova fëmijërinë. Kujtoj, si sot, atë sallë në gjysmëhije në Shtëpinë e Pionierit, paksa të ftohtë, ku u rritën pasioni dhe dashuria ime për poezinë. Ndoshta vargjet e para nuk ndryshonin nga ato të moshatarëve të mi, derisa në moshën 13 vjeçare shkrova një fabul të titulluar “Dhelpra dhe pulat”, e cila ishte një befasi për mësuesin që drejtonte rrethin letrar, shkrimtarin Hyjni Ceka.

Ai vetë kontaktoi redaksinë e Revistës “Pioneri” në Tiranë duke u folur për veçanësinë e këtij krijimi, i cili u botua menjëherë. Një vit më vonë, në 1980, në konkursin kombëtar letrar me rastin e 35 vjetorit të Revistës “Pionieri” unë u nderova me çmimin e parë me poezinë “Për ty Atdhe”.

Pubiku i gjërë ju njeh si autore e suksesshme e këngëve përpara viteve 90-të. Përmendim disa nga titujt e teksteve tuaja më të njohura si “Urimi yt”, “Mbrëmja që mban dashurinë time”, “Pranë të kaltrit det”, “Letër malli”, “E njëjta ëndërr”, “Nuk ju zemërova pranverës” etj.

Si lindi kjo lidhje me muzikën?



Dikur, shkruaja dhe këndoja njëkohësisht. Jam ngjitur disa herë në skenën e Teatrit “Skampa” në festivalet për fatosa e pionierë, ku jam nderuar edhe me çmime të para. Më pas, kushedi pse, nuk pata më guxim të dilja në skenë dhe meqë e doja muzikën, u lidha me të pikërisht përmes vargjeve të këngës.

Isha në universitet kur shkrova disa nga tekstet që u pritën mjaft mirë dhe që mbeten edhe sot të paharruara për publikun shqiptar. Vargjet lindën atje, midis studentëve dhe afrinë e dashamirësinë e tyre si dhe të njerëzve anonimë unë e kam përjetuar me emocion.

Jeni një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera në botë me libra të botuara në 24 vende të botës.

A ju befasoi ndonjëherë ky sukses i madh, apo e keni ndjerë gjithmonë si një rrugë të paracaktuar?

Nuk kam menduar asnjëherë që e kam prekur suksesin… Arritjet i kam konsideruar fryt të rrugëtimit të gjatë letrar, talentit, durimit, sakrificave, këmbënguljes për të hapur dyer dhe kapërcyer mentalitete shqiptare. Kur erdha në Itali, në vitin 2006, ndonëse kisha publikuar disa libra dhe kisha shkruar tekste këngësh fituese nëpër festivale në RTSH, brenda vetes kisha plot pasiguri. Ndoshta sepse në vendin tim isha ndjerë e harruar, në hije, e pazonja për t’u bërë pjesë e klaneve dhe e tarafeve.

Befasia më e bukur ishte kur në vitin 2010 fitova çmimin e tretë në Konkursin “Napoli Cultural Classic” me poezinë “Un pò di pazienza” (Pak durim) dhe në 2011 u nderova me çmimin e parë në Konkursin Letrar “Lago Gerundo” në Paullo, Milano me librin autobiografik “Tra le due rive” (Midis dy brigjeve). Këto vlerësime në tokë të huaj ishin dritëza në mjegullën që më kishte mbështjellë. Ato më nxitën që të zbuloj më mirë anën time krijuese, të shtoj besimin tek vetja dhe tek poezia ime.

Poezi, prozë, gazetari, përkthim, tekste këngësh , në cilin prej këtyre roleve ndiheni më “Irma Kurti”?

Në poezi, sepse ajo është tashmë bashkudhëtarja ime prej gjysëm shekulli.

Kur shkruani një tekst kënge, mendoni më shumë si poete apo si bashkëpunëtore e muzikës dhe e publikut.Kur shkruaj një tekst kënge për mua është njëlloj si të shkruaj poezi dhe kjo vlen dhe kur shkruaj vargje mbështetur mbi muzikën. I dedikoj po aq mund, rishikime e redaktime duke u munduar t’i shmangem klisheve dhe vulgariteteve.Mendoj që ky është çelësi i suksesit të tyre.

Letërsia juaj ka kaluar kufij dhe kultura , a ka një mesazh universal që përpiqeni ta përcillni te çdo lexues?



Në poezi apo prozë mesazhi që dua të përcjell është mesazhi i paqes, i dashurisë dhe mirëkuptimit. Paqja nuk është një koncept abstrakt, por fillon në familje, nga gjithsecili prej nesh dhe përhapet gjithnjë e më tepër si rrathët në det. Forca e letërsisë dhe e artit në një botë të mbrapshtë dhe problematike është e madhe, ndonëse shpesh zëri u humbet në kaosin e krijuar nga luftërat dhe konfliktet.

Si anëtare jurie në konkurse letrare në Itali, a mendoni se sot ka më shumë krijues të talentuar apo talenti “ka humbur” në zhurmën e kohës moderne.

Ka vite që jam anëtare e jurisë në disa konkurse letrare dhe për mua është një vlerësim dhe akt përgjegjësie… Meqenëse vetë marr pjesë në mënyrë periodike në konkurse, gjatë leximit dhe vlerësimit nuk mund të mos mendoj se pas atyre vargjeve fshihet një poet apo poete që ka derdhur në to shpirtin dhe pritshmëritë.

Jo vetëm si anëtare jurie po edhe si përkthyese kam patur mundësinë dhe kënaqësinë të zbuloj poetë ndërkombëtarë që më kanë emocionuar. Me vërshimin e rrjeteve sociale, në mes të një informacioni që rrjedh si lumë, janë me mijëra poetë që shkruajnë dhe të identifikohesh apo të veçohesh si krijues nuk është aspak e lehtë. Megjithatë, mendoj se shpejt a vonë një zë që është origjinal do të shkëputet nga kori dhe do të dëgjohet nga masa.

Ju ua dedikoni librat prindërve tuaj – a është shkrimi për ju edhe një mënyrë për të ruajtur kujtesën dhe emocionin personal?

Prindërve të mi, Hasan dhe Sherife Kurti, u kam dedikuar me qindra poezi dhe këngë. Të gjitha librat e mi në gjuhë të ndryshme të botës u kushtohen atyre. Sepse ka dashuri që nuk shuhen me vdekjen fizike, por vazhdojnë të na ndriçojnë udhën si fenerë. Ata të dy kanë qenë mbështetja ime kryesore në çdo hap të rrugëtimit letrar. Babai trokiste në dyert e redaksive duke mbajtur në duar poezitë e mia të para. Ai bëri të pamundurën për t’më përcjellë pasionin për letërsinë. Nëna ishte frymëzuesja, mikja më e mirë që me optimizmin dhe humorin e saj i ngrohte si diell ditët e mia gri.

Deri në çastet e fundit të ekzistencës së tyre më kanë përkrahur dhe kemi ndarë së bashku aspiratat letrare dhe njerëzore. Natyrisht, kjo është dhe mënyra më e mirë për ta mbajtur kujtimin e tyre të gjallë dhe të paprekur nga koha. 

Vitet e fundit ju keni interpretuar edhe vetë kengë.

Çfarë e bën jetëgjatë lidhjen tuaj me muzikën?

Disa kompozitorë të mirënjohur si Nonda Kajno, Petrika Agolli dhe Aleksandër Kolshi më kanë besuar këngët e tyre, por interpretimi i këngëve për mua tashmë është pasion, nostalgji dhe kthim në fëmijëri, tek ëndrra ime e vjetër. 

Keni 120 libra në arkivin tuaj me poezi, prozë dhe përkthime. Çfarë ju sfidon ende sot: frika e përsëritjes apo dëshira për të thënë gjithmonë diçka të re?

Asnjë frikë nuk më largon nga poezia. Çdo ndrojtje se mos bie në përsëritje është kalimtare. Unë shkruaj poezi kur më dhemb shpirti, kur kam humbur prindërit, kur kaloj çaste të vështira, kur jam ndjerë e dobët dhe e brishtë. Poezia është faltorja ku falem çdo ditë.

SHËNIME BIOGRAFIKE 


:

IRMA KURTI është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo është italiane e natyralizuar. Ka filluar të shkruajë e të botojë poezi që në moshë të vogël. 

Ka fituar 100 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali, Zvicër, ShBA, Filipine, Greqi, Liban, Kinë dhe Kore. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër. 
Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë poetike.

Në 2021 u nderua me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali. Në vitin 2022 iu dha titulli “Damë e Urdhërit të Dante Alighierit” nga Republika e Poetëve. Në 2023 u nderua me çmimin e Karrierës nga Universum Academy Switzerland në Zvicër. Irma Kurti është anëtare jurie në disa konkurse letrare në Itali, si dhe përkthyese pranë Fondacionit “Ithaca” në Spanjë. Në vitin 2026, iu akordua Çmimi ‘Pena e Artë’ nga Shoqata Koreane e Letërsisë Botërore, në bashkëpunim me gazetën koreane ‘Culture & People’.
Irma Kurti ka botuar mbi 120 vepra, që përshijnë libra me poezi, prozë dhe përkthime. Të gjitha librat i dedikohen kujtimit të prindërve të saj të dashur Hasan Kurti dhe Sherife Mezini që e kanë përkrahur dhe inkurajuar në çdo hap të rrugëtimit letrar. 

Poezitë e saj janë përkthyer në 40 gjuhë.

Ajo është një nga poeteshat shqiptare më të përkthyera dhe më të botuara jashtë kufijve të Shqipërisë. Librat e saj janë përkthyer dhe botuar në 24 vende të botës.

P.S/Intervistoi: Albina Ceka
Autore dhe moderatore e portalit online “Një Dritare”

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Velipojë, plazhet publike të menaxhuara mirëpresin pushues me ambiente të pastra dhe të organizuara

VELIPOJË, 5 korrik 2026 /Albania Express News/ -Plazhi i...

Dita e 36 e protestës, qytetarët para Kryeministrisë: Shqipëria kërkon revolucion

TIRANË ,5 korrik 2026/Albania Express News/-Qytetarët janë mbledhur edhe...