TIRANË, 5 korrik 2026 /Albania Express News/-Kryetari i Partisë Demokratike përshëndeti sot, shqiptarët që morën pjesë në protestën kombëtare qytetare të së shtunës.
Me një videomesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Berisha u shpreh se dje shqiptarët përsëritën 20 shkurtin e vitit 1991 dhe me simbolizma organizuan funeralin politik të Edi Ramës.
“Mbrëmë, qindra-mijëra protestues përmbysën, para zyrave të tij, shtatoren e narkodiktatorit Edi Rama dhe i organizuan, me simbolizma, funeralin e tij politik. Sot në vend të dorëheqjes, Edi Rama urdhëroi përsëri, të provojë apo të reklamojë suksese dhe të anatemojë protestën e qytetarëve. Ai foli për një korrje të zezë dhe ujërat që rrjedhin ndër të”, tha Berisha.
Sipas Berishës, protesta përfaqësoi një kërkesë qytetare për ndryshim dhe për largimin e Kryeministrit.
Kreu i PD-së kërkoi dorëheqjen e Ramës, si edhe plotësimin e pesë kërkesave të protestuesve, të cilat, sipas tij, përkojnë me qëndrimet e Partisë Demokratike.
Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të vijojë të mbështesë protestat dhe kërkesat e qytetarëve.
“Duke shprehur mirënjohje për ata qindra-mijëra shqiptarë që protestuan dje në mënyrën më të fuqishme, më madhështore, garantoj se Partia Demokratike do të qëndrojë fuqishëm në mbështetje të protestës dhe kërkesave të tyre”, vijoi ai.
Në reagimin e tij, kreu i PD-së kritikoi qëndrimin e qeverisë ndaj protestës, duke bërë thirrje për shmangien e dhunës.

