NGA FATMIR POPJA
Cërrik,5 korrik 2026/Albania Express News/-Ka ngjarje që nuk maten me numrin e pjesëmarrësve, as me jehonën mediatike, por me emocionin dhe kujtesën që lënë pas. Një prej tyre ishte prezantimi i pemës gjenealogjike të fisit Dybeli, një aktivitet i organizuar në qytetin e Cërrikut ,mbrëmjen e 4 korrikut 2026 në ambientet e vilës private të Lorenc Dybelit , ku dhjetëra familjarë nga breza të ndryshëm u mblodhën për të rizbuluar historinë e përbashkët të trungut të tyre.
Nuk ishte promovim libri, as përvjetor historik dhe as një ceremoni zyrtare. Ishte një takim zemrash, ku e shkuara dhe e tashmja u bashkuan në një mbrëmje të mbushur me kujtime, emocione, krenari dhe respekt për rrënjët familjare. Për shumë prej të pranishmëve ishte hera e parë që takonin kushërinj të afërt apo të largët, megjithëse ndanin të njëjtin mbiemër dhe të njëjtën histori. Pema gjenealogjike, e projektuar në ekran dhe e ekspozuar në përmasa gjigante, u kthye në simbolin më domethënës të identitetit dhe vazhdimësisë së fisit të njohur Dybeli.
Kur rrënjët bashkojnë brezat ,”Fisi Dybeli” prezanton pemën gjenealogjike në një mbrëmje historike familjare
Në një atmosferë të mbushur me emocion, krenari dhe respekt për historinë familjare, fisi Dybeli organizoi një nga aktivitetet më të veçanta të viteve të fundit, duke prezantuar për herë të parë publikisht pemën gjenealogjike të këtij fisi të njohur, me origjinë nga zona e Krrabës dhe me pasardhës të shpërndarë në Shqipëri dhe jashtë saj.
Ambientet e vilës private të Lorenc Dybelit u shndërruan në një hapësirë ku historia, kujtesa dhe e ardhmja u takuan në të njëjtën mbrëmje. Mbi një ekran gjigand ishte vendosur pema gjenealogjike, një punim monumental i Lorenc Dybelit që përfshinte qindra emra, të lidhur mes tyre nëpërmjet degëve të trungut familjar.

Kur ajo u shfaq në ekran , çdo pjesëmarrës nisi të kërkonte vendin e tij në këtë histori shumëbrezëshe. Emra të njohur, të harruar, të dëgjuar vetëm në rrëfimet e gjyshërve apo të parë dikur në fotografi të vjetra, u bënë pjesë e një mozaiku që tregonte rrugëtimin e fisit ndër shekuj.
Për shumë prej të pranishmëve ishte një zbulim i vërtetë. Shumë kushërinj u njohën për herë të parë mes tyre, duke kuptuar se ndanin të njëjtën prejardhje. Ishte një mbrëmje që nuk solli vetëm informacion historik, por riktheu lidhje njerëzore që koha dhe largësia i kishin zbehur.

Një spektakël i kujtesës
Programi artistik ishte menduar deri në detaj. Moderatorët e rinj të familjes, Usejdi Dybeli, Enkelajda Dybeli dhe Borana Dybeli, sollën një prezantim emocional, duke përcjellë mesazhe për rëndësinë e njohjes së rrënjëve dhe ruajtjes së identitetit familjar.
Një nga momentet më prekëse ishte leximi i disa rreshtave nga Usejdi Dybeli nga libri i gjyshit të tij ,“Erdha vonë tek ty”, ku ai me intepretimin e një aktori profesionist përcolli me zërin e tij kumbues fjali që krijuan emocione të jashtëzakonshme te të pranishmit :

“Nuk munda të krijoja pasuri. E vetmja pasuri për mua mbetet fjala… Nëse një ditë harroni emrin tim, kërkojeni mes fjalësh…”
Ky mesazh u shndërrua në simbol të gjithë aktivitetit, duke treguar se trashëgimia më e madhe nuk është ajo materiale, por kujtesa, historia dhe fjala e lënë brezave.

Kënga që mbart historinë e fisit Dybeli
Një tjetër moment që emocionoi pjesëmarrësit ishte interpretimi nga vogëlushja Sara, e cila solli në kujtesë vargje të një kënge shumë të hershme popullore, që sipas traditës ka lindur nga paraardhësit e fisit Dybeli dhe këndohet ende sot në zonën e Krrabës dhe në dhjetëra fshatra të saj.
Kjo këngë simbolizon burrërinë, besën dhe trimërinë e të parëve, duke dëshmuar se historia e fisit nuk jeton vetëm në dokumente, por edhe në folklorin popullor.
Vallja, humori dhe fotografia ,një rrëfim i plotë familjar
Aktiviteti filloi me një kolazh vallesh tradicionale shqiptare, interpretuar nga gjashtë balerinë nën ritmet e tupanëve, me koreografi të Krenar Korçës dhe regji të Xhimi Vilës.
Më pas u shfaq një dokumentar fotografik me qindra fotografi familjare ndër vite, i realizuar nga Enkelajda Dybeli me mbështetjen e Andrit, duke sjellë në ekran kujtime nga disa breza.
Nuk munguan as momentet e humorit, me ndarjen e certifikatave simbolike për pjesëtarët e fisit , një mënyrë origjinale për të ruajtur traditën e shakave dhe atmosferës së ngrohtë që karakterizon familjen Dybeli.
Një punë shumëvjeçare kërkimore
Pas këtij projekti qëndron një punë e gjatë kërkimore.
Njëri nga autorët kryesorë të pemës gjenealogjike “Fisi Dybeli”, mësuesi dhe gazetari i mirënjohur i mediave kombëtare ,Besim Dybeli, shpjegoi se realizimi i saj nga i biri ka qenë rezultat i viteve të tëra hulumtimi.
“Ka qenë një angazhim sistematik i gjatë në kohë. Janë konsultuar burime të shkruara dhe gojore, dokumente arkivore, kujtime familjare dhe dëshmi të ndryshme për të garantuar saktësinë e çdo emri. Ishte një punë që kërkoi durim, përgjegjësi dhe bashkëpunimin e shumë njerëzve.”
Sipas tij, qëllimi nuk ishte vetëm ndërtimi i një harte familjare, por ruajtja e memories kolektive dhe përcjellja e saj tek brezat e rinj.

Nga vijmë dhe ku shkojmë
Kulmi i mbrëmjes ishte prezantimi grafik i pemës familjare nga Lorenc Dybeli dhe Diana, të cilët shpjeguan në mënyrë të detajuar degëzimet e trungut, historinë e secilës linjë familjare dhe lidhjet mes brezave.
Përmes projektimit në ekran, pjesëmarrësit ndoqën udhëtimin e fisit nga paraardhësit e parë deri tek fëmijët e lindur në ditët e sotme.
Një moment simbolik ishte edhe prezantimi i anëtarëve më të rinj që do t’i bashkohen fisit përmes martesave, duke treguar se kjo pemë vazhdon të rritet.

Ulliri – simbol i paqes dhe vazhdimësisë
Në fund të aktivitetit u zhvillua ceremonia simbolike e mbjelljes së një ulliri nga Besim Dybeli, nën moton “Fisi Dybeli 2026 “, Pema e paqes për përjetësinë e fisit tonë”.
Ky akt u frymëzua nga tradita e hershme shqiptare, sipas së cilës çiftet e reja mbillnin një pemë ulliri si simbol të jetës, vazhdimësisë dhe begatisë.
Në këtë rast, ulliri u shndërrua në simbol të unitetit të një fisi që, pavarësisht shpërndarjes në vende të ndryshme, mbetet i bashkuar nga e njëjta rrënjë.

Një trashëgimi që do të mbetet
Prezantimi i pemës gjenealogjike të fisit Dybeli nuk ishte thjesht një aktivitet familjar. Ishte një investim në kujtesën kolektive, një kontribut për historinë lokale dhe një model frymëzues për çdo familje shqiptare që dëshiron të ruajë identitetin e saj.
Në një kohë kur ritmi i jetës moderne shpesh largon njerëzit nga rrënjët e tyre, kjo nismë dëshmoi se njohja e së kaluarës është mënyra më e sigurt për të ndërtuar të ardhmen.
Mbrëmja përfundoi mes përqafimeve, fotografive familjare dhe premtimit se ky nuk do të ishte takimi i fundit. Përkundrazi, ishte fillimi i një tradite të re, ku brezat do të vazhdojnë të mblidhen rreth trungut të përbashkët, duke mbajtur gjallë historinë, kujtesën dhe krenarinë për emrin Dybeli.



