Emri i mesfushorit beninez Chicoto Koffi Roméo ka nisur të qarkullojë në tregun e futbollit shqiptar, ku disa klube po e ndjekin me interes si një mundësi për t’u përforcuar në këtë merkato.
24-vjeçari, pjesë e Djeffa FC, konsiderohet një profil që mund t’u bëjë punë shumë skuadrave të Superiores dhe jo vetëm. I aftë të luajë si mesfushor defensiv, por edhe në role më organizative, Roméo shihet si një “okazion” në merkato për shkak të moshës, karakteristikave të tij në fushë dhe potencialit që ofron.
Mesfushori beninez dallohet për punën në fazën mbrojtëse, rikuperimin e topit, disiplinën taktike dhe aftësinë për të organizuar lojën nga qendra e fushës. Pikërisht për këto cilësi, mediat sportive në Benin e kanë pagëzuar me nofkën “Kanté”, një krahasim që lidhet me stilin e tij të lojës dhe mënyrën se si interpreton rolin në mesfushë.

Burime pranë lojtarit bëjnë me dije se, pas pajisjes me vizë, interesimi nga klubet shqiptare është shtuar dhe ditët në vijim mund të jenë vendimtare për të ardhmen e tij.
Me një profil që kombinon cilësitë mbrojtëse me aftësinë për të ndërtuar lojën, Chicoto Koffi Roméo mbetet një nga emrat që mund të rezervojë zhvillime interesante gjatë kësaj merkatoje.


