Task-forca monitoron vijën bregliqenore të Pogradecit, mbi 60% e plazheve mbeten publike

NGA ARTIN HALILI

POGRADEC ,4 korrik 2026/Albania Express News/-Një task-forcë e përbashkët, e përbërë nga përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Bashkisë Pogradec dhe Policisë së Shtetit, zhvilloi këtë të premte një inspektim përgjatë gjithë vijës bregliqenore të Pogradecit, me qëllim monitorimin e zbatimit të lejeve të stacioneve të plazhit, respektimin e sipërfaqeve të përcaktuara si plazhe publike, si edhe kontrollin e masave të sigurisë për pushuesit.

Kontrollet u përqendruan në verifikimin e kufijve të lejuar për operatorët privatë, shmangien e çdo zaptimi të paligjshëm të hapësirave publike, si dhe respektimin e detyrimeve ligjore që rrjedhin nga lejet e miratuara për ushtrimin e aktivitetit gjatë sezonit turistik.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Shpëtim Çiku, bëri të ditur se gjatë inspektimeve të kryera nuk janë konstatuar shkelje apo problematika në administrimin e plazheve.

“Gjatë monitorimit të zhvilluar sot kemi konstatuar se operatorët po respektojnë kushtet e lejeve dhe kufijtë e përcaktuar për ushtrimin e aktivitetit. Aktualisht nuk kemi evidentuar shkelje, por kontrollet do të vijojnë gjatë gjithë sezonit veror. Qëllimi ynë është të parandalojmë çdo tentativë për zënien e paligjshme të plazheve publike dhe të garantojmë që çdo subjekt të respektojë detyrimet që ka sipas lejes së miratuar,” u shpreh Çiku.

Ai theksoi se monitorimi do të jetë i vazhdueshëm dhe në bashkëpunim me institucionet vendore dhe Policinë e Shtetit do të ndërhyhet menjëherë në rast të çdo shkeljeje të konstatuar.

Nga ana e saj, drejtoresha e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Pogradec, Enjela Karafili, nënvizoi se edhe këtë sezon prioritet mbetet garantimi i aksesit të qytetarëve dhe turistëve në plazhet publike.

“Sivjet mbi 60 për qind e vijës bregliqenore është në funksion të plazheve publike, ndërsa rreth 40 për qind është vënë në dispozicion të stacioneve private të plazhit sipas lejeve përkatëse. Ky është një raport që garanton akses të lirë për pushuesit, ndërsa kontrollet do të zhvillohen çdo javë për të verifikuar respektimin e kësaj ndarjeje dhe për të parandaluar çdo formë abuzimi nga operatorët turistikë,” deklaroi Karafili.

Sipas saj, bashkia do të jetë në terren gjatë gjithë sezonit veror për të monitoruar situatën dhe për të garantuar që hapësirat publike të mos cenohen.

Përveç kontrollit të stacioneve të plazhit, task-forca verifikoi edhe zbatimin e standardeve të sigurisë. Gjatë inspektimit u kontrollua prania e vrojtuesve të plazhit, vendosja e sinjalistikës përkatëse, bovat që kufizojnë zonën e lundrimit të mjeteve ujore, si dhe shënimi i zonave të thellësisë, masa të cilat konsiderohen thelbësore për garantimin e sigurisë së pushuesve.

Institucionet përgjegjëse bëjnë të ditur se monitorimet do të vijojnë në mënyrë periodike përgjatë gjithë sezonit turistik, me synimin për të garantuar zbatimin e ligjit, ruajtjen e hapësirave publike dhe ofrimin e kushteve sa më të sigurta dhe cilësore për qytetarët dhe turistët që zgjedhin Pogradecin si destinacion pushimesh.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME