LIBRAZHD ,3 korrik 2026/Albania Express News/-Klubi i Sopotit do të vijojë edhe në sezonin e ri nën drejtimin e trajnerit Rrahman Hallaci. Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Bashkisë së Librazhdit, Mariglen Disha, përmes një postimi në rrjetet sociale, ku konfirmoi rikonfirmimin e teknikut në krye të pankinës së skuadrës.
Sipas Dishës, vendimi për të vazhduar bashkëpunimin me Hallacin erdhi si rezultat i punës së mirë të zhvilluar gjatë sezonit të kaluar, si edhe suksesit të arritur nga ekipi, duke krijuar bindjen se ai është njeriu i duhur për të udhëhequr Sopotin edhe në edicionin e ri.
“Rikonfirmuam në krye të pankinës së Sopotit trajnerin Rrahman Hallaci. Puna e mirë e bërë sezonin e kaluar dhe suksesi i arritur na bindën se ky bashkëpunim duhet të vazhdojë, me synimin për arritje të tjera në sezonin e ri”, shkruan Disha në postimin e tij.
Rikonfirmimi i Hallacit shihet si një sinjal i qartë për vazhdimësinë e projektit sportiv të klubit, me objektivin për të ndërtuar mbi rezultatet pozitive të sezonit të kaluar dhe për të synuar suksese të reja.
Në fund të mesazhit të tij, kryebashkiaku shpreh mbështetjen për skuadrën me thirrjen: “Forca Sopoti!”, duke dëshmuar besimin se ekipi do të jetë sërish protagonist në kampionatin e ardhshëm.

