KORÇË ,1 korrik 2026/Albania Express News/-Universiteti “Fan S. Noli” zhvilloi një aktivitet të veçantë në kuadër të kalendarit të veprimtarive për 55-vjetorin e themelimit të tij, ku u promovua monografia shkencore “Fan Noli në shtypin e Korçës, 1920–1924” dhe u nda Çmimi “Fan S. Noli” për prof. as. dr. Arsim Sinanin, zëvendësdekan i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës.
Aktiviteti mblodhi pedagogë, studiues, studentë, përfaqësues të institucioneve vendore, komuniteteve fetare dhe personalitete të jetës akademike, duke u shndërruar në një ngjarje me rëndësi të veçantë për promovimin e kërkimit shkencor dhe bashkëpunimit ndëruniversitar në hapësirën shqiptare.

Takimi u çel nga dr. Estela Hoxha, pedagoge e Departamentit të Historisë në Universitetin e Tiranës, ndërsa rektori i Universitetit “Fan S. Noli”, prof. dr. Lorenc Ekonomi, vlerësoi rëndësinë e këtij botimi, duke theksuar se monografia është financuar nga fondet e brendshme të universitetit për kërkimin shkencor dhe përfaqëson një dëshmi konkrete të angazhimit institucional për ruajtjen e kujtesës historike dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
Në fjalën e saj, dekania e Fakultetit të Edukimit dhe Filologjisë, prof. as. dr. Jonela Spaho, e cilësoi monografinë një dhuratë të çmuar për 55-vjetorin e universitetit, duke nënvizuar se studimi ndriçon një periudhë kyçe të historisë shqiptare dhe ofron një këndvështrim të ri mbi figurën shumëdimensionale të Fan S. Nolit. Ajo vlerësoi gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit akademik mes universiteteve shqiptare dhe atyre të Kosovës.

Recensuesi kryesor i monografisë, prof. as. dr. Arsim Sinani, u shpreh se një nga vlerat më të mëdha të studimit qëndron në interpretimin bashkëkohor të figurës së Fan Nolit, duke e trajtuar atë jo vetëm si simbol historik, por si një personalitet kompleks politik, diplomatik dhe institucional.
Autorët e monografisë, PhD Metin Venxha dhe dr. Orion Ago, pedagogë të Departamentit të Historisë dhe Gjeografisë, prezantuan procesin e punës kërkimore dhe burimet arkivore mbi të cilat është ndërtuar studimi, duke evidentuar rëndësinë e shtypit korçar të viteve 1920–1924 në pasqyrimin e veprimtarisë së Fan Nolit.

Në përmbyllje të aktivitetit u zhvillua ceremonia e ndarjes së Çmimit “Fan S. Noli”, i cili iu dorëzua prof. as. dr. Arsim Sinanit nga rektori prof. dr. Lorenc Ekonomi me motivacionin: “Për kontributin e shquar në studimet historike shqiptare, promovimin e vlerave kombëtare, ruajtjen e memories historike dhe forcimin e bashkëpunimit akademik ndëruniversitar në hapësirën shqiptare.”
Vlerësime për figurën dhe kontributin e profesor Sinanit dhanë edhe prof. dr. Ali Jashari, prefektja e Qarkut Korçë, Florinda Zegullaj, si dhe të ftuar të tjerë.
Duke falënderuar Universitetin “Fan S. Noli”, Rektorin dhe Senatin Akademik për këtë vlerësim të lartë, prof. as. dr. Arsim Sinani u shpreh se do të vijojë të punojë me të njëjtin përkushtim për studimet shqiptare, duke u përpjekur të jetë gjithmonë i denjë për emrin e Fan S. Nolit dhe për vlerat që ai mishëroi: dijen, guximin intelektual, përkushtimin ndaj kombit dhe ruajtjen e identitetit historik shqiptar.


