Studentët e Universitetit të Elbasanit bëhen ambasadorë të turizmit, krijojnë platformën që promovon qarkun

ELBASAN ,29 qershor 2026/Albania Express News/-Studentët e Universitetit të Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” kanë sjellë një model inovativ për promovimin e turizmit lokal, duke dëshmuar se teknologjia, tradita dhe gastronomia mund të bashkohen në funksion të zhvillimit të rajonit. Përmes një projekti kreativ të realizuar nga studentët e programeve të studimit Informatikë Ekonomike dhe Ekonomi-Turizëm, u prezantua një platformë digjitale e dedikuar promovimit të potencialit turistik të Qarkut të Elbasanit.

Nën udhëheqjen e pedagoges Dr. Elsa Gega, studentët ndërtuan një faqe interneti moderne, e cila synon të shërbejë si një pikë referimi për vizitorët vendas dhe të huaj. Platforma përmbledh informacion të detajuar mbi qytetet e qarkut, atraksionet turistike, monumentet e kulturës, traditat, eventet, si dhe pasuritë natyrore e historike që e bëjnë këtë rajon një destinacion gjithnjë e më tërheqës.

Prezantimi i projektit u shndërrua në një aktivitet plot ngjyra, emocione dhe vlera kulturore. Studentët, të veshur me kostume popullore karakteristike të zonave të ndryshme të Qarkut të Elbasanit, sollën një atmosferë autentike, duke i dhënë jetë traditave dhe identitetit lokal. Përmes faqes së internetit, ata udhëhoqën të pranishmit në një udhëtim virtual në qytetet dhe destinacionet turistike të qarkut, duke prezantuar bukuritë natyrore, historinë, kulturën dhe potencialin ekonomik të secilës zonë.

Një nga momentet më të veçanta të aktivitetit ishte ekspozimi i gatimeve tradicionale, të përgatitura nga vetë studentët. Tryeza me specialitete karakteristike të krahinave të ndryshme të qarkut përcolli shijet autentike të Elbasanit, Gramshit, Librazhdit, Peqinit, Belshit, Cërrikut dhe Prrenjasit, duke dëshmuar se gastronomia është një nga elementët më të rëndësishëm të ofertës turistike dhe një mënyrë e fuqishme për të promovuar identitetin e një destinacioni.

Projekti synon të tregojë se zhvillimi i turizmit nuk mbështetet vetëm te bukuritë natyrore apo monumentet historike, por edhe te përdorimi i teknologjisë për promovimin e tyre. Faqja e ndërtuar nga studentët krijon një urë komunikimi mes trashëgimisë kulturore dhe mjeteve moderne të informimit, duke e bërë më të lehtë për vizitorët njohjen me destinacionet dhe eksperiencat që ofron Qarku i Elbasanit.

Kjo nismë përfaqëson një shembull të suksesshëm të bashkëpunimit ndërmjet dijes akademike dhe nevojave të zhvillimit lokal. Përmes kombinimit të njohurive në fushën e teknologjisë, ekonomisë dhe turizmit, studentët jo vetëm realizuan një produkt konkret digjital, por dhanë edhe një kontribut të vlefshëm në promovimin e pasurive turistike të rajonit.

Aktiviteti u vlerësua si një dëshmi e rolit që universiteti mund të luajë në nxitjen e ideve inovative dhe në përgatitjen e profesionistëve të rinj, të aftë për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe ekonomisë lokale. Përmes këtij projekti, studentët treguan se ruajtja e traditës dhe promovimi i saj përmes teknologjisë është një rrugë e rëndësishme për ta bërë Qarkun e Elbasanit më të njohur dhe më konkurrues në hartën turistike të Shqipërisë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME