TIRANË ,28 qershor 2026/Albania Express News/-Në podcast-in e tij “Flasim”, kryeministri Edi Rama prezantoi nismën e re që synon kalimin e rrjeteve të komunikimit elektronik dhe internetit në infrastrukturë nëntokësore. Ky projekt synon t’i japë fund epokës së kabllove dhe kavove ajrore që ndodhen rrugëve, duke rritur kështu cilësinë e hapësirës publike në qytete.
Gjithashtu, kreu i qeverisë njoftoi se në muajin korrik do të prezantohet programi i ri kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”, i ndërtuar në dialog me pushtetin vendor. Ky program do të adresojë ndërhyrjet në ujësjellës-kanalizime, transportin publik të gjelbër, parkimet e reja dhe rigjallërimin e zonave industriale. Përveç investimeve, projekti do të nxisë muzetë lokalë, start-up-et dhe bashkëpunimin me sipërmarrjen për zhvillim ekonomik. Sipas Ramës, ky program do të stimulojë marrëdhënien aktive me komunitetin përmes transparencës dhe informacionit. Në këtë frymë, “Rilindja Urbane 2.0” vlerësohet si një hap i rëndësishëm drejt vizionit “Shqipëria 2030” në Bashkimin Europian.
“Këtë javë prezantuam edhe një nismë të re për infrastrukturën digjitale në qytete, e cila synon që t’i japë fund asaj që ka mbetur nga epoka e përhapjes së internetit në formën e kabllove dhe kavove që rrotullohen rrugë më rrugë e lagje më lagje dhe të fillojmë sistemimin e rrjeteve të komunikimit elektronik, duke kaluar gradualisht në infrastrukturë nëntokësore.
Është një ndërhyrje që, patjetër, adreson domosdoshmërinë për të rritur më tutje cilësinë e hapësirës publike, për të unifikuar komponentët e hapësirës publike, duke vazhduar të pastrojmë llozhrat e së shkuarës së largët apo të afërt, që janë ende të pranishme nëpër qytetet tona dhe, në vijim, në muajin korrik, do të prezantojmë edhe programin e ri kombëtar “Rilindja Urbane 2.0”, i cili është një program i ndërtuar në dialog me pushtetin vendor për fazën e ardhshme të zhvillimit të komuniteteve në të gjithë vendin, që shkon përtej investimeve që kemi bërë deri më sot.
Një program që do të adresojë ndërhyrjet e mbetura në sistemin e ujësjellës-kanalizimeve, do të mbështesë zhvillimin e transportit publik të gjelbër, do të krijojë kapacitete të reja parkimesh, do të çelë rrugën e rigjallërimit të një sërë zonash industriale që kanë mbetur në pezullin e të shkuarës dhe do të nxisë zhvillimin e muzeve të identiteteve lokale, duke pasur njëkohësisht si pikë fokale zgjerimin e programit për start-up-et dhe forcimin e bashkëpunimit mes pushtetit vendor dhe sipërmarrjes në funksion të zhvillimit ekonomik.
Nuk është një program thjesht dhe vetëm i mbështetur nga një fond investimesh, por është një program që do të stimulojë marrëdhënien aktive të pushtetit vendor me komunitetin dhe një angazhim të përditshëm në zbatimin e projekteve në terren, në harmoni me nevojat e komunitetit për më shumë informacion, për më shumë transparencë, për më shumë vetëdijësim po ashtu.
Dhe në këtë frymë, një “Rilindje Urbane 2.0” do të jetë një hap tjetër i rëndësishëm drejt “Shqipërisë 2030” në Bashkimin Europian”, tha Rama.

