TIRANË, 28 qershor 2026/Albania Express News/Kryeministri Edi Rama reagoi ndaj një videoje të publikuar nga një protestues, i cili e akuzonte se kishte fyer shqiptarët me shprehjen “fuck you” në një intervistë për Financial Times, duke theksuar se deklarata e tij nuk ka qenë e drejtuar ndaj qytetarëve shqiptarë.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, Rama u shpreh se fjala e përdorur ishte përgjigje ndaj akuzave të vazhdueshme personale ndaj tij, jo ndaj popullit shqiptar.
“Më çuan videon e këtij djalit dhe, përpara se të dëgjoja sharjet, ndjeva sëkëlldinë e tij. Pyeta për të. Demokrat 24 karat, nip i një demokrati të respektuar, profesionist me të cilin më lidh respekti i ndërsjellë. Fakti është se unë nuk ua kam thënë shqiptarëve kurrsesi atë fjalë. Duket qartë edhe në artikull. Kur gazetari më ka pyetur si u përgjigjesh atyre që të akuzojnë se je kumbari i qeverisë, i thashë shkurt fjalën që meriton kush në fakt më akuzon papushim, vite e vite, dhe s’ka lënë dy gurë bashkë për të më baltosur dhe varrosur, por kurrë asnjë provë.Nga një orë bisedë e lirë, ai zgjodhi pikërisht atë fjali. Po unë nuk jam pishman”, u shpreh Rama.
Kryeministri komentoi edhe deklaratat e protestuesit lidhur me ndarjen nga jeta të babait të tij, duke u shprehur se ishte interesuar për rastin përpara se të reagonte.
“Më erdhi sinqerisht keq dhe, përpara se sa të përgjigjesha, u interesova për rastin. I ndjeri babai i këtij djali, nuk ka shkelur asnjëherë në asnjë spital publik të Shqipërisë, por fillimisht është kuruar në një spital privat, diku këtu e dhjetë vjet më parë. Djali ka shkuar larg bashkë me valën e revolucionit imagjinar të bulevardit, urrejtja politike dhe furia e algoritmit e kanë bërë të më fajësojë mua publikisht. Pas dhjetë vjetësh, kur i ati nuk u shërua dot në Tiranë nga kanceri i mëlçisë dhe ndërroi jetë në Vjenë kthehet në skenë për tu përdorur si “mish për top””, theksoi Kryeministri.
Lidhur me akuzat për gjendjen e sistemit shëndetësor, Rama theksoi se shëndetësia shqiptare ka pësuar transformimin më të madh në historinë e saj, ndërsa pranoi se mbeten ende shumë sfida.
“Këtu shkon edhe më tutje djali, i bën mijëra e mijëra shqiptarët që, sipas tij, vdesin rrugëve të botës, sepse këto 13 vite shëndetësinë e paskam kthyer unë në pikën e vdekjes, ndërkohë që transformimi i dekadës së fundit në shëndetësi është epokal, më i madh se i të gjitha viteve të mëparshme të mbledhura sëbashku, e këtë s’e them unë, por faktet, ndërsa unë them, po shëndetësia ka nevojë për shumë më shumë akoma”, vuri në dukje Kryeministri Rama.
Rama hodhi poshtë edhe pretendimet se kishte publikuar materiale private të protestuesve, duke sqaruar se ka përdorur vetëm materiale të publikuara në hapësirën publike.
“Asnjë video dhe asnjë foto private njerëzish privatë, por materiale publike individësh disafytyrësh që nuk kanë 1001 halle, por kanë axhenda lloj-lloj për të manipuluar publikun, duke gënjyer dhe besuar edhe vetë gënjeshtrat e tyre, se ashtu ato punë, njësoj si djali këtu”, tha ai.
Po ashtu, kryeministri mohoi akuzat për përdorimin e fondeve publike për udhëtime personale.
“Unë personalisht jam shtruar dy herë dhe kam bërë dy ndërhyrje në trupin tim në spitalin shtetëror, ndërkohë që familja ime kurrë, kurrë, kurrë s’ka përdorur as helikopterë, as avionë, as fonde të shtetit, as për hall e as për qejf, çdo udhëtim privat i yni është i paguar nga buxheti familjar, gjithmonë në ekonomik”, theksoi Rama.
Në përfundim, kreu i qeverisë theksoi se nuk i ngatërron qytetarët që protestojnë për hallet e tyre me individët që, sipas tij, përdorin protesta për manipulim politik.
“Unë jam i lidhur me një kontratë me tjetër kënd, që quhet populli sovran i Shqipërisë, me të cilin kam firmosur deri në 2029-ën dhe dua t’u siguroj të gjithë atyre që janë sinqerisht e nuk kane parti apo para nga pas për të yshtyr këtë protestë se unë nuk i ngatërroj shqetësimet, hallet e zemërimin e tyre me këto personazhe të padinjitetshme që turpërojnë mexhelisin tonë publik. Por, me të neutralizuar një të keqe shumë të madhe dhe me shumë koka që ka kapur për fyti protestën, pa diskutim që unë do të kthehem drejt masës domethënëse të njerëzve, të njerëzve pavarësisht nga çfarë kahje vijnë që duan të dëgjohen dhe do t’u them se çfarë kam kuptuar nga e gjithë kjo nevojë e tyre për të protestuar dhe si mendoj unë se duhen adresuar ato që së brendshmi, sinqerisht i thërrasin njerëzit drejt protestës, drejt nevojës për tu dëgjuar dhe po ashtu drejt admirimit për ata që protestojnë edhe në emër të tyre pikërisht për arsye të kësaj nevoje”, përfundoi Kryeministri Rama.

