PËRMET ,27 qershor 2026/Albania Express News/-Pas debatit të krijuar në rrjetet sociale lidhur me ndërhyrjet në zonën e Ujërave Termale të Bënjës, në Përmet, ka ardhur një reagim i gjatë dhe i argumentuar nga deputetja e qarkut, Mirela Kumbaro, e cila ka sqaruar se investimi ndodhet ende në fazën e testimeve teknike dhe se pamjet e publikuara në internet nuk pasqyrojnë realitetin e plotë të projektit.
Në një postim të shoqëruar me fotografi të realizuara gjatë ditës së sotme, Kumbaro thekson se kushdo që e viziton nga afër Bënjën mund të dallojë qartë ndryshimin mes gjendjes së mëparshme dhe transformimit që po merr forma falë investimit të realizuar.

Sipas saj, është e pavërtetë të thuhet se punimet kanë përfunduar, pasi kantieri vijon normalisht dhe aktualisht po kryhen testimet e domosdoshme për funksionimin e sistemit të ujërave termale.
Deputetja sqaron se boshatisja dhe rimbushja periodike e vaskave është pjesë e procesit teknik të kolaudimit, ku po testohen prurjet e ujit dhe nivelet e secilës vaskë, një procedurë që realizohet nga specialistët përkatës.
“Sa flasim, vaskat po mbushen sërish në mënyrë të kontrolluar, sepse inxhinierët e dinë saktësisht se si kryhet kjo punë,” shkruan Kumbaro, duke ironizuar ata që, sipas saj, janë shndërruar në “gjithologë” në rrjetet sociale.

Ajo shprehet se prej muajsh është bërë e ditur se zona e Ujërave Termale të Bënjës ndodhet në një proces të plotë rikualifikimi, falë një investimi të rëndësishëm të Fondit Shqiptar të Zhvillimit, që synon ta kthejë këtë destinacion në një pikë moderne turistike, duke ruajtur në të njëjtën kohë karakterin natyror të zonës.
Projekti përfshin rikonstruksionin e rrugëve të aksesit, ndërtimin e ambienteve të reja të shërbimit për vizitorët, krijimin e hapësirave rekreative, zonave për aktivitete kulturore dhe promovimin e traditës, gastronomisë dhe produkteve karakteristike të Përmetit.
Kumbaro thekson se të gjitha ndërhyrjet janë realizuar me materiale natyrore dhe në harmoni të plotë me peizazhin unik të Bënjës, duke respektuar trashëgiminë natyrore dhe historike të zonës.
Në reagimin e saj, deputetja ndalet edhe te komentet kritike që kanë qarkulluar ditët e fundit në rrjetet sociale, duke i cilësuar ato si spekulime që synojnë të dëmtojnë imazhin e një prej destinacioneve më të rëndësishme turistike të jugut të vendit.
Ajo kujton se vetëm pak vite më parë Përmeti nuk ishte një destinacion i njohur turistik, ndërsa sot është kthyer në një nga pikat më të vizituara në Shqipëri, falë investimeve në infrastrukturë, promovimit të natyrës dhe zhvillimit të turizmit.

“Ejani në Përmet dhe shijoni me sytë tuaj Vaskë Currin dhe ujërat termale, në vend që ta shihni Bënjën me syzet e errëta të Facebook-ut,” apelon Kumbaro.
Ndërkohë, fundjava në Bënjë është shoqëruar edhe me aktivitetin “The Last Adventure”, ku zona është mbushur me vizitorë, muzikë live, aktivitete sportive dhe argëtim në natyrë.
Sipas organizatorëve dhe autoriteteve lokale, pavarësisht testimeve që vijojnë në kantier, vizitorët kanë vazhduar të shfrytëzojnë normalisht ujërat termale gjatë gjithë ditëve të fundit.

Edhe Bashkia Përmet ka reaguar përmes një mesazhi të shkurtër në rrjetet sociale, duke ftuar qytetarët të vizitojnë vetë Bënjën dhe të krijojnë një përshtypje të drejtpërdrejtë.
“Bënja ju pret! Ejani ta shihni me sytë tuaj. Aventura vazhdon edhe nesër. Mos mungoni!”, thuhet në njoftimin e Bashkisë.
Mes polemikave virtuale dhe punimeve që vijojnë në terren, autoritetet vendore dhe deputetja Mirela Kumbaro insistojnë se transformimi i Ujërave Termale të Bënjës është ende në proces dhe se rezultati përfundimtar do ta konsolidojë këtë zonë si një nga destinacionet më tërheqëse të turizmit natyror dhe kurativ në Shqipëri.


