Elbasani ngre alarmin në Ditën Botërore të Mjedisit ,aktivistë dhe ekspertë denoncojnë katastrofën mjedisor,ndotja po kërcënon shëndetin e mijëra qytetarëve

ELBASAN ,5 qershor 2026/Albania Express News/Në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit, e cila shënohet çdo vit më 5 qershor, organizata mjedisore, ekspertë të njohur të fushës, përfaqësues të Partisë Demokratike në Elbasan, si dhe këshilltarë të opozitës zhvilluan paraditen e së premtes një aktivitet sensibilizues dhe ndërgjegjësues në Elbasan, me fokus problematikat e shumta mjedisore që vijojnë të rëndojnë mbi jetën e qytetarëve.

Aktiviteti u organizua pranë zonave që konsiderohen ndër më problematiket për sa i përket ndotjes së mjedisit, duke synuar të tërheqë vëmendjen e opinionit publik dhe institucioneve përgjegjëse mbi gjendjen alarmante të mjedisit në Elbasan. Përmes shpërndarjes së materialeve informuese, komunikimit me qytetarët dhe deklaratave publike, pjesëmarrësit kërkuan masa konkrete për përmirësimin e situatës mjedisore në një qytet që prej dekadash përballet me ndotje të ajrit, tokës dhe ujërave.

Organizatorët theksuan se mbrojtja e mjedisit nuk mund të mbetet vetëm një slogan i përvitshëm, por duhet të shndërrohet në një angazhim të përhershëm institucional dhe qytetar. Ata bënë thirrje për më shumë investime në menaxhimin e mbetjeve, zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbra, kontrollin e ndotësve industrialë dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik për ruajtjen e natyrës.

Gjatë aktivitetit, Jamarbër Malltezi ngriti shqetësimin për situatën mjedisore në Elbasan, duke e cilësuar zonën si një nga shembujt më domethënës të degradimit mjedisor në vend.

“Në Ditën Botërore të Mjedisit erdhëm në zonën që ilustron më mirë çfarë është keq në Shqipëri. Mali me mbetje të depozituara në mënyrë të paligjshme digjet shpesh dhe ndot ajrin e të gjithë Elbasanit. Mbetjet dekompozohen dhe ndotin ujërat nëntokësore, ndërsa lumi Shkumbin ka marrë ngjyrë kafe si pasojë e mosfunksionimit të trajtimit të ujërave të zeza dhe shkarkimeve industriale. Po ashtu, grabitja e inerteve në shtratin e lumit po shkakton erozion të brigjeve dhe humbje të tokave bujqësore”, deklaroi ai.

Sipas Malltezit, dëmet mjedisore po reflektohen drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve, ndërsa kërkoi ndërhyrje të menjëhershme për ndalimin e praktikave që, sipas tij, po dëmtojnë rëndë ekosistemin e zonës.

Edhe deputeti i Partisë Demokratike për Qarkun Elbasan, Blendi Himçi, foli për atë që e cilësoi si një “masakër mjedisore” që po përkeqësohet nga viti në vit.

“Prej kohësh në Elbasan është konstatuar një situatë e rëndë mjedisore, përmasat e së cilës po bëhen gjithnjë e më të rrezikshme. Vetëm për depozitimin e mbetjeve në fushën e grumbullimit, qytetarët e shtatë bashkive të Qarkut Elbasan dhe Bashkisë Rrogozhinë paguajnë rreth 26 euro për ton mbetje, edhe pse procesi i incinerimit nuk kryhet. Pra, qytetarët paguajnë për dy procese, ndërsa mungon pikërisht ai që konsiderohet më i rëndësishmi”, u shpreh Himçi.

Ndërkohë, eksperti i njohur i mjedisit dhe ish-drejtuesi i Agjencisë Rajonale të Mjedisit për Elbasanin, Beqir Kila, paralajmëroi se me afrimin e sezonit të verës problematikat mjedisore rrezikojnë të marrin përmasa edhe më të mëdha.

Sipas tij, ndezjet e mbetjeve në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane, qoftë të qëllimshme apo si pasojë e vetëndezjes, janë pothuajse të pashmangshme gjatë muajve të nxehtë, duke sjellë ndotje të konsiderueshme të ajrit dhe rrezik për shëndetin publik.

“Pasojat që shkakton lumi Shkumbin në zonat përreth janë tepër shqetësuese. Nga Bujqësi, Jagodinë, Cërrik e deri në derdhjen në Detin Adriatik, niveli i ndotjes është alarmant. Matjet kanë treguar ndotje të lartë mikrobike dhe praninë e elementeve kimike të rrezikshme, duke e bërë situatën mjedisore dhe shëndetësore jashtëzakonisht serioze”, deklaroi Kila.

Pjesëmarrësit në aktivitet theksuan se Dita Botërore e Mjedisit nuk duhet të shërbejë vetëm si një ditë simbolike, por si një moment reflektimi dhe angazhimi konkret për zgjidhjen e problemeve që prekin përditë jetën e qytetarëve.

Dita Botërore e Mjedisit u shpall nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së në vitin 1972 gjatë Konferencës së Stokholmit për Mjedisin Njerëzor dhe që prej vitit 1974 festohet çdo 5 qershor në mbarë botën. Ajo konsiderohet si platforma më e madhe globale për ndërgjegjësimin dhe veprimin në mbrojtje të mjedisit, duke promovuar ruajtjen e ekosistemeve, luftën kundër ndotjes dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Për një qytet si Elbasani, i cili vazhdon të përballet me problematika të trashëguara mjedisore dhe sfida të shumta ekologjike, kjo ditë shërben si një thirrje e fortë për veprim, me qëllim garantimin e një mjedisi më të pastër, më të sigurt dhe një cilësie më të mirë jetese për brezat e sotëm dhe ata që do të vijnë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

U akuzua se abuzoi seksualisht me infermieren që kujdesej për Michael Schumacher, ish-piloti i garave shpallet i pafajshëm nga gjykata

ZVICËR ,5 qershor 2026/Albania Express News/Ish-piloti australian i garave,...

Ilir Meta në GJKKO: “Jam i revoltuar, procesi po mbështetet në gënjeshtra dhe fshehje provash”

TIRANË ,5 qershor 2036/Albania Express News/Në seancën e radhës...

Vendimi i GJKKO-së për Ilir Metën: Jo seancë “live”, po akses provash në USB

TIRANË,5 qershor 2026/Albania Express News/Ka nisur seanca e radhës...