Klevis Çullhaj prezantohet në krye të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Elbasan

ELBASAN,2 qershor 2026/Albania Express News/Paraditen e së martës është bërë prezantimi zyrtar i z. Klevis Çullhaj në detyrën e Drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Elbasan, duke shënuar një zhvillim të rëndësishëm në drejtimin e këtij institucioni në nivel rajonal.

Prezantimi i tij para stafit u bë nga z. Ilmi Hoxha, zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, i cili vlerësoi punën dhe kontributin shumëvjeçar të kësaj drejtorie, duke e cilësuar si një nga strukturat më të konsoliduara dhe më efikase në vend.

Gjatë fjalës së tij, z. Hoxha theksoi rëndësinë e vijimit të standardeve të larta të shërbimit ndaj qytetarëve, duke i kërkuar drejtuesit të ri dhe gjithë stafit që Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor Elbasan të mbetet një model i shkëlqyer i administratës publike, jo vetëm për shpejtësinë dhe korrektësinë në shërbime, por edhe për komunikimin dinjitoz dhe profesional me qytetarët.

Klevis Çullhaj është një drejtues me eksperiencë shumëvjeçare në administratën publike, menaxhim fiskal dhe sektorin e sigurimeve. Ai njihet për aftësitë mjaft të mira në drejtimin e ekipeve, administrimin e proceseve institucionale dhe forcimin e marrëdhënieve me qytetarët dhe bizneset.

Në karrierën e tij, Çullhaj ka mbajtur disa pozicione të rëndësishme, ndër të cilat:

• Drejtor i Agjencisë së Mbikëqyrjes dhe Kontrollit – Bashkia Elbasan (2025 – aktualisht)
• Drejtor Taksash – Bashkia Elbasan (2022 – 2025)
• Këshilltar i Sigal Uniqa Group Austria (2022 – aktualisht)
• Drejtor Rajonal i Sigal Uniqa Group Austria (2012 – 2022)
• Specialist Taksash në Bashkinë Elbasan (2007 – 2012)
• Drejtor i Intersig (2007)

Çullhaj ka përfunduar studimet në Universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në Fakultetin Ekonomik, dega Administrim Biznesi (2004 – 2008).

Me këtë emërim të ri, pritet që Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor Elbasan të vijojë të forcojë standardet e shërbimit dhe efikasitetin institucional, duke u fokusuar në përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve me qytetarët dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve publike.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME