TIRANË ,31 maj 2026/Albania Express News/Sezoni futbollistik 2025-2026 uli siparin me kurorëzimin e Egnatias kampione për të tretin vit radhazi, por menjëherë pas finales nuk munguan deklaratat që pritet të ndezin debatet për të ardhmen e kampionatit shqiptar.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pranoi se do të kishte dëshiruar që trofeu të përfundonte në duart e Vllaznisë ose Elbasanit, ndërsa la të kuptohet se formati “Final Four” është drejt fundit pas pjesëmarrjes së ulët të tifozëve.
Duke folur pas ceremonisë së dorëzimit të trofeut në “Elbasan Arena”, kreu i FSHF-së tregoi se organizimi i finales mes dy stadiumeve ishte një sfidë më vete.
“Rezultati i pjesës së parë në Elbasan na dha një drejtim më të qartë dhe u spostuam nga Tirana drejt Elbasanit për organizimin e ceremonisë. Kjo është bukuria e futbollit, emocionet dhe paparashikueshmëria deri në sekondat e fundit. Ishte një kampionat me shumë rivalitet, si për titullin ashtu edhe për mbijetesën”, u shpreh Duka.
Presidenti i FSHF-së vlerësoi suksesin e Egnatias, por nuk e fshehu dëshirën për të parë një kampion të ri.
“Egnatia e meritoi sepse fitoi të tre ndeshjet e ‘Final Four’, por do të më pëlqente që trofeu të shpërndahej edhe te skuadra të tjera. Kisha dëshirë që kampione të bëhej Vllaznia, që e pret prej shumë vitesh titullin, ose Elbasani, që zhvilloi një sezon fantastik. Por futbolli vendos në fushë dhe fiton ai që jep më shumë”, deklaroi ai.
Më e forta nga deklaratat e Dukës lidhej me të ardhmen e formatit “Final Four”, i cili ka qenë në qendër të kritikave gjatë gjithë sezonit.
Sipas tij, pjesëmarrja e dobët e tifozëve, veçanërisht nga qytetet e tjera, ka treguar se formati nuk ka funksionuar siç ishte parashikuar.
“Tifozëritë e rretheve e kanë të vështirë të udhëtojnë. Pjesëmarrja në ‘Final Four’ nuk ishte ajo që prisnim dhe kjo e penalizoi formatin. Mungesa e Tiranës dhe Partizanit ndikoi gjithashtu në atmosferën që do të krijohej në ‘Air Albania’”, theksoi kreu i FSHF-së.
Megjithatë, Duka sqaroi se numri i skuadrave në Superiore nuk do të ndryshojë për sezonin 2026-2027 dhe kampionati do të vazhdojë me 10 ekipe.
Ai bëri të ditur se Federata ka angazhuar një kompani ndërkombëtare të specializuar, e cila ka punuar edhe në formatin e ri të Champions League, për të studiuar alternativat e mundshme.
“Kemi disa variante në tavolinë, nga katër faza deri te playoff-et. Do t’i analizojmë të gjitha dhe brenda 15 ditëve të para të qershorit Komiteti Ekzekutiv do të marrë vendimin përfundimtar”, përfundoi Duka.
Deklaratat e presidentit të FSHF-së pritet të hapin një debat të ri në futbollin shqiptar, teksa gjithçka lë të kuptohet se sezoni 2026-2027 mund të sjellë një formulë krejtësisht të re për përcaktimin e kampionit të Shqipërisë.

