Gjykatësi që ndryshoi perceptimin e drejtësisë: Kujtim për Frank Caprio

Nga Albert Vataj

Askush nuk zgjedh dot mënyrën se si do të ndahet nga jeta, por ai, Frank Caprio, duke dëgjuar zërin e zemrës, ai zgjodhi mënyrën se si po ndahet nga njerëzit, se si do të kujtohet prej tyre, se si do t’i përkasë përjetësisë shpirti hyjnor që ai mbështolli me mantelin e gjykatësit.
Ka ndaluar zemra e gjykatësit të zemrave, e asaj zemre që solli në gjyq drejtësi hyjnore, që driti shpirtin e botës me diellin e empatisë dhe së njerëzishmes, ai që pasuroi kuptimsinë e misterit të detyrës me shprehjen: “Nuk mbaj një distinktiv nën mantelin tim, por një zemër”.

Frank Caprio nuk ishte vetëm një gjyqtar, por një dritë që ndriçoi anët më njerëzore të drejtësisë. Ai na mësoi se ligji pa mëshirë është i zymtë, ndërsa drejtësia e ndërtuar mbi zemër dhe mirëkuptim është shpëtimi më i madh për një shoqëri në kërkim të drejtësisë së vërtetë.
Në kujtim të tij, na mbetet përgjegjësia: ta mbajmë gjallë frymën e tij. Ashtu siç shprehej ai vetë, mirësia është ‘dhurata që nuk kushton asgjë, por do të thotë gjithçka’.

Frank Caprio u shua në moshën 88-vjeçare pas një beteje të gjatë me kancerin e pankreasit. Ai ishte më i njohur për shfaqjen e famshme “Caught in Providence”, dhe për gati katër dekada shërbeu si kryegjyqtar komunal në Providence, Rhode Island.
Bota është e madhe, por manteli i humanizmit që veshi gjykatësi amerikan me origjinë italiane e shndërroi atë në një fenomen global. Proceset e tij ikonike e kthyen sallën e gjyqit në një spektakël të empatisë.

Që prej vitit 2015, videot e seancave të drejtuara prej tij, të publikuara në YouTube, kanë prekur miliona njerëz. Brenda pak vitesh, ato arritën mbi 1.5 miliardë shikime dhe një publik prej rreth 100 milionë personash. Caprio spikati me humorin dhe batutat e tij, duke e bërë ligjin të dukej i afërt, i prekshëm dhe njerëzor.

Edhe pse vuante nga kanceri i pankreasit, ai vijoi të publikonte video deri në momentet e fundit të jetës. Madje edhe një natë para se të ndahej nga jeta, nga spitali ai u kërkoi ndjekësve të tij të shumtë të luteshin për të. Ishte një mënyrë e fundit për të komunikuar, përmes humanizmit, me botën që e donte dhe atë bëtë që e la më të pasur me shpirtin dhe veprën e tij.
Rastet e tij shpesh prekën miliona shikues. Një video ikonike ku një burrë 96-vjeçar, që kujdesej për djalin e vet të sëmurë, lirohet nga një gjobë, është ndër momentet më të shpërndara në rrjet.
Ai kujtonte shpesh se fraza “Me liri dhe drejtësi për të gjithë” nuk është gjithmonë realitet. Ky reflektim u bë një apel për një sistem më të drejtë e më njerëzor.

Frank Caprio nuk ishte thjesht një gjyqtar; ai ishte një zemër e madhe e veshur me mantel. Me batutën, buzëqeshjen dhe vendimet e tij plot mirësi, ai bëri që njerëzit të besonin se drejtësia mund të jetë një vend sipas ligjit, por edhe sipas shpirtit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

spot_imgspot_img

LAJME TË NGJASHME

Dumani: Identifikuam 16 grupe kriminale të rrezikshme, 11 milionë euro kriptomonedha të bllokuara

Kreu i Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit...

Ministri Salla: Shqipëria në fazë vendimtare të integrimit evropian për bujqësinë

Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, z. Andis Salla...

Orkestra Simfonike e TKOBAP-së në Festivalin Respighi të Bolonjës

Orkestra Simfonike e Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe...