Kur futbolli shqiptar nuk arrin të joshë as miliarderët

Nga Shpëtim Luku

TIRANË,19 maj 2026/Albania Express News/Nëse kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i ka vënë vetes si mision të bindë biznesmenin Samir Mane të marrë në administrim një ekip futbolli, duket se do ta ketë të vështirë ta realizojë. Sepse Samir Mane – ashtu si shumë biznesmenë të tjerë të suksesshëm shqiptarë – i bëjnë llogaritë me “laps në dorë” dhe nuk duken të gatshëm t’i afrohen një aktiviteti që sjell më shumë kokëçarje dhe humbje sesa përfitime.

Ndryshe vështirë të shpjegohet fakti që Puka, një zonë që ka nxjerrë biznesmenë të fuqishëm në rang kombëtar, nuk po gjen askënd të interesuar për t’iu afruar KF Tërbuni Pukë, ekipit që konkurron në Kategorinë e Dytë. E njëjta situatë vlen edhe për FK Kukësi. Një qytet që numëron jo pak biznesmenë të pasur, e pa skuadrën e tij të rrëzohej deri në kufijtë e Kategorisë së Dytë, ndërsa vetëm fati i një ndeshjeje “play-off” me Butrinti Sarandë mund ta mbajë ende në Kategorinë e Parë.

Kjo tregon qartë se futbolli shqiptar nuk është një sektor joshës për investitorët e mëdhenj. Dhe problemi nuk lidhet vetëm me të tashmen; duket se mungon edhe besimi tek e ardhmja. Përndryshe, biznesmenë me emër do të kishin treguar interes për klubet vendase. KF Lushnja vazhdon të nxirret në shitje nga Bashkia, por blerësi ende nuk po shfaqet. Ndërkohë, shumë specialistë vazhdojnë të propozojnë privatizimin si zgjidhje shpëtimi për klubet shqiptare, sikur të kishte një radhë të gjatë investitorësh që presin të blejnë një ekip futbolli.

Këtu del në pah edhe një tjetër problem: presidentët aktualë të klubeve. Shumë prej tyre janë futur në një “valle” nga e cila nuk po dalin dot. Çdo sezon detyrohen të sigurojnë buxhete të konsiderueshme, duke bërë sakrifica të mëdha financiare. Dhe kjo ndodh në një realitet ku jo të gjithë kanë biznese të konsoliduara apo aktivitete fitimprurëse që mund të mbulojnë pafundësisht “gropat e zeza” që krijon futbolli, e sporti në përgjithësi. “Sa më shpejt të dalësh, aq më i fituar je”, është shprehur dikur një biznesmen i njohur që provoi investimin në futboll vetëm për dy vite.

Megjithatë, pengesa më e madhe për kapitalet serioze mbetet mungesa e lehtësive fiskale. Për sa kohë shpenzimet për sportin nuk njihen si shpenzime të zbritshme nga taksat, investimet në futboll do të vazhdojnë të konsiderohen barrë dhe jo mundësi zhvillimi. Dhe nëse kjo situatë nuk ndryshon, sporti shqiptar do të mbetet në të njëjtën panoramë të zbehtë, ku mbijetesa zë vendin e zhvillimit dhe pasioni, sado i madh, nuk mjafton për të mbajtur në këmbë një industri të tërë.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

“Islands”: Korça, surpriza e Mesdheut që po sfidon Spanjën dhe Italinë

KORÇË, 19 maj 2026/Albania Express News/- Korça po përmendet...