Nga Shkëlzen Hankoja
GRAMSH,17 maj 2026/Albania Express News/Një situatë dramatike është regjistruar në aksin rrugor Gramsh–Kukur, ku reshjet intensive të shiut kanë shkaktuar rrëshqitje masive dherash dhe shembje të segmentit rrugor, duke e kthyer qarkullimin në një rrezik real për jetën.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, në vendin e njohur si “Përroi i Pishave”, aty ku një kamion i ngarkuar me mallra ushqimore, i destinuar për furnizimin e dyqaneve në njësinë administrative Kukur, ka mbetur i bllokuar në mes të rrugës pasi një pjesë e madhe e aksit është shembur nga reshjet.

Pamjet nga vendngjarja janë tronditëse. Kamioni ka mbetur i varur buzë greminës, ndërsa vetëm pak centimetra e ndajnë nga rrëshqitja në humnerë. Çdo lëvizje e gabuar mund të rezultojë fatale, ndërsa drejtuesi i mjetit ka kërkuar ndërhyrje urgjente për nxjerrjen e kamionit nga zona e rrezikut.
Sipas banorëve të zonës, situata është përkeqësuar nga ora në orë për shkak të reshjeve të pandërprera, të cilat kanë dobësuar tërësisht trupin e rrugës. Për më shumë se gjashtë orë, kamioni ka mbetur në të njëjtin pozicion të rrezikshëm, ndërsa banorë të Kukurit janë mobilizuar me mjete foristradë dhe mjete rrethanore për të ndihmuar në stabilizimin e tij.
Në një akt solidariteti dhe guximi, disa prej banorëve janë parë duke hipur mbi kamion dhe duke tentuar ta balancojnë atë, në mënyrë që të shmanget rrëshqitja drejt humnerës. Frika dhe tensioni kanë qenë të pranishme gjatë gjithë kohës, pasi terreni vazhdon të rrëshqasë dhe rruga konsiderohet tepër e pasigurt.

Banorët shprehen të revoltuar për gjendjen e amortizuar të aksit Gramsh–Kukur, duke theksuar se prej vitesh kjo rrugë është lënë në harresë dhe çdo reshje shiu e kthen zonën në një makth të vërtetë për qarkullimin dhe jetën e tyre të përditshme.
Ata kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, jo vetëm për shpëtimin e kamionit, por edhe për rehabilitimin e plotë të këtij aksi jetik që lidh dhjetëra banorë me qytetin e Gramshit.
Ndërkohë, drejtuesi i kamionit vijon të qëndrojë pranë mjetit, duke pritur ndihmë emergjente, ndërsa çdo minutë që kalon shton frikën se mjeti mund të përfundojë në humnerë bashkë me ngarkesën e tij.
Zona mbetet problematike dhe autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjet në këtë segment deri në stabilizimin e situatës.


