ELBASAN,14 maj 2026/Albania Express News/Një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për Elbasanin dhe gjithë juglindjen e vendit po hyn në fazën finale të realizimit. Deputeti socialist i Qarkut Elbasan, Adi Qose, ka bërë me dije në një postim në rrjetet sociale se shumë shpejt pritet t’i jepet fund një prej problematikave më të mëdha të qarkullimit në qytet, me finalizimin e procedurave për ndërtimin e Bypass-it të Elbasanit.
Në mesazhin e tij, Adi Qose e cilëson këtë zhvillim si një “lajm shumë të mirë për Elbasanin”, duke theksuar se një “makth kolektiv” i viteve të fundit, që ka vështirësuar lëvizjen normale të qytetarëve dhe transportit, është drejt përfundimit.
Sipas të dhënave zyrtare, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur më herët dy procedura tenderuese për realizimin e Bypass-it të Elbasanit, një projekt strategjik që është pjesë e Korridorit VIII dhe pritet të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e ndjeshme të trafikut në këtë nyje të rëndësishme rrugore.
Fondi limit i dy tenderave arrin në rreth 60.5 milionë euro, ndërsa afati për pjesëmarrje në garë është deri më 10 qershor 2026. Fituesi do të ketë në dispozicion dy vite për të përfunduar ndërtimin e segmentit prej 4.2 kilometrash, i cili nis në Bradashesh, aty ku lidhet me autostradën Tiranë–Elbasan, dhe përfundon pranë luginës së lumit Shkumbin.
Në dokumentacionin teknik theksohet se ky segment rrugor përballon një fluks tejet të lartë qarkullimi, që varion nga 25 mijë deri në 30 mijë automjete në ditë, ndërsa në orët e pikut arrin deri në 35 mijë mjete, duke e bërë një nga akset më të ngarkuara në vend.
Ndërkohë, një tjetër hap i rëndësishëm është shënuar edhe në fazën e projektimit. Me një vlerë prej 81.46 milionë lekësh, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka shpallur fituese kompaninë A & E ENGINEERING për hartimin e projektit të Bypass-it të Elbasanit.
Në garë morën pjesë gjashtë kompani, ndërsa fituesja u rendit mes ofertave më të larta financiare. Katër kompani të tjera paraqitën oferta më të ulëta, por u skualifikuan pas vlerësimit me më pak pikë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave.
Oferta fituese rezulton shumë pranë fondit limit prej 81.83 milionë lekësh të parashikuar nga ARRSH. Sipas kushteve të kontratës, kompania do të ketë 22 muaj kohë për hartimin e projektit përfundimtar, çka nënkupton se vetëm pas rreth dy vitesh pritet të hapet gara për fazën e ndërtimit të veprës.
Sipas dokumenteve të tenderit, projekti është një nga investimet më të rëndësishme jo vetëm për qarkullimin rrugor, por edhe për zhvillimin ekonomik të zonës, pasi bypass-i është pjesë e Korridorit VIII, që lidh Portin e Durrësit me Qafë Thanën dhe më tej me vendet e rajonit.
Gjithashtu, theksohet se unaza aktuale e qytetit të Elbasanit nuk i përmbush më parametrat e nevojshëm për përballimin e trafikut në rritje, duke e bërë ndërtimin e këtij bypass-i një domosdoshmëri për lehtësimin e qarkullimit dhe shmangien e kalimit të mjeteve në zonat urbane.
Në total, projekti i Bypass-it të Elbasanit pritet të arrijë një kosto prej rreth 240 milionë eurosh, i përfshirë edhe në programin e prioriteteve qeveritare, dhe shihet si një ndër investimet që do të ndryshojë ndjeshëm infrastrukturën dhe lëvizshmërinë në gjithë rajonin e Elbasanit.

