Në shtator, Kuvendi do të ketë një fytyrë të re: 72 deputetë vijnë për herë të parë, duke rifreskuar më shumë se gjysmën e përbërjes së Parlamentit. Por 10 të tjerë nuk janë rishtarë – ata rikthehen pas një shkëputjeje nga politika.
Në krye të listës bie në sy Jozefina Topalli, e cila rikthehet pas 8 vitesh mungesë. Ish-kryetarja më jetëgjatë e Parlamentit shqiptar iu largua skenës politike në vitin 2017, gjatë drejtimit të PD-së nga Lulzim Basha. Me rikthimin e Sali Berishës, Topalli dhe tetë figura të tjera të përjashtuara dikur janë rikthyer në radhët e opozitës – mes tyre Gent Strazimiri, Igli Cara, Klevis Balliu dhe Ledina Alolli.
Gjithashtu, Luçiano Boçi, Belind Këlliçi dhe Bardh Spahia – që lanë mandatin për garat vendore – kthehen sërish si deputetë.
Një emër tjetër i njohur është Edmond Haxhinasto, i cili rikthehet në Kuvend si deputet i Elbasanit, falë marrëveshjes Meta-Berisha dhe listës së mbyllur të këtij qarku.
Në krahun tjetër, Tom Doshi, sot kryetar i PSD-së, rikthehet pas një shkëputjeje 4-vjeçare. Ai fitoi mandat edhe në 2021 por u dorëhoq nën presion ndërkombëtar, pasi u shpall “non grata” nga SHBA. Rikthimi i Sali Berishës në politikë duket se e ka lehtësuar edhe rikthimin e tij.



