NGA FATMIR POPJA
ELBASAN,11 maj 2026/Albania Express News/Një betejë e vërtetë futbolli, emocione deri në sekondat e fundit dhe një qytet i tërë që vazhdon të besojë te rikthimi në elitë. Pogradeci është skuadra që do të sfidojë Teutën në finalen e madhe të “playout”-it për një vend në Kategorinë Superiore, pasi triumfoi 1-0 ndaj Besës në finalen dramatike të “playoff”-it të Kategorisë së Parë.
Në një duel të luftuar fort dhe me tension të lartë, skuadra liqenore arriti të siguronte fitoren vetëm pas kohës shtesë, duke mbajtur gjallë ëndrrën për t’u rikthyer mes më të mirëve të futbollit shqiptar. Pas 90 minutash pa gola, ku të dyja skuadrat shpërdoruan raste të mira shënimi, sfida u vendos nga një moment vendimtar në shtesë.
Fillimisht ishte Besa që u shfaq më kërkuese në fushë, duke iu afruar golit me Grecën dhe Chinëendun, por pa arritur të mposhtnin portierin kundërshtar. Pogradeci reagoi në pjesën e dytë dhe krijoi gjithashtu mundësi të rrezikshme, ndërsa tensioni dhe pesha e ndeshjes ndiheshin në çdo aksion.
Kur gjithçka po shkonte drejt një fundi dramatik, ishte India Oliveira ai që ndezi festën bardheblu, duke shënuar golin që vlejti një sezon të tërë. Sulmuesi i dha avantazhin Pogradecit në shtesë dhe bëri që tifozët liqenorë të shpërthenin në festë.
Ndeshja nuk kaloi pa tensione dhe nervozizëm. Arbitri u detyrua të nxirrte tre kartonë të kuq në minutat e zjarrta të shtesës, duke ndëshkuar Neton dhe Kofin për Besën, si dhe Kazimin për Pogradecin, ndërsa përplasjet dhe presioni në fushë treguan rëndësinë e madhe të kësaj finaleje.
Në fund, vërshëllima përfundimtare vulosi triumfin 1-0 të Pogradecit, që tashmë është vetëm një hap larg ëndrrës së madhe. Tashmë gjithçka do të vendoset më 16 maj, në orën 16:00, në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit, aty ku liqenorët do të përballen me Teutën në sfidën finale që do të përcaktojë skuadrën e fundit pjesëmarrëse në Kategorinë Superiore sezonin e ardhshëm.
Një ndeshje që premton atmosferë “flakë”, emocione dhe një duel ku nuk do të ketë vend për gabime. Nga njëra anë përvoja e Teutës për të mbijetuar në elitë, nga ana tjetër etja dhe entuziazmi i Pogradecit për t’u rikthyer mes më të mirëve. Shqipëria e futbollit pret një tjetër finale spektakolare.

