VLORË ,8 maj 2026/Albania Express News/Një zjarr i përmasave të mëdha ka rënë mbrëmjen e sotme në zonën kodrinore të fshatit Radhimë, duke shkaktuar panik te banorët dhe pushuesit që ndodheshin pranë strukturave turistike të zonës.
Sipas informacioneve paraprake, flakët kanë përfshirë një godinë të ndërtuar me material drusor, e cila përdorej gjatë sezonit veror për aktivitete turistike dhe shërbime për pushuesit. Zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të materialeve lehtësisht të djegshme, ndërsa tymi i dendur është parë në një zonë të gjerë të bregdetit.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se objekti vijon të digjet, ndërsa ekziston rreziku serioz që flakët të përhapen drejt hoteleve dhe ndërtesave të tjera pranë biznesit të përfshirë nga zjarri. Situata është konsideruar alarmante, pasi zona në këtë periudhë frekuentohet nga vizitorë dhe turistë të shumtë.
Shkaqet e zjarrit ende nuk janë përcaktuar zyrtarisht, por paraprakisht dyshohet se ai mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike ose faktorë të tjerë aksidentalë, raporton gazetari i Albania Express News.
Ndërkohë, forcat zjarrfikëse janë nisur menjëherë drejt vendngjarjes dhe po punojnë intensivisht për izolimin e flakëve dhe vënien e situatës nën kontroll, me qëllim shmangien e përhapjes së zjarrit dhe minimizimin e dëmeve materiale.
Deri tani nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa autoritetet pritet të japin informacion më të detajuar mbi dëmet dhe shkaqet e incidentit në orët në vijim.

