ELBASAN,30 prill 2026/Albania Express News/AF Elbasani pritet të përballet këtë fundjavë në transfertë ndaj Vorës, në një sfidë ku vëmendja kryesore do të jetë te porta verdheblu. Me mungesa të rëndësishme në këtë repart, trajneri Ivan Gvozdenoviç duket se do t’i besojë një emri të ri ,20-vjeçarit nga Gana, Jagri Samsiano Ndoanpan.
Portieri i ri është një histori interesante në futbollin shqiptar. Ai mbërriti në vendin tonë në janar të vitit 2025, fillimisht për t’u aktivizuar me Labërinë. Më pas, që prej tetorit të kaluar, Ndoanpan është bërë pjesë e ekipit U19 të Elbasanit, ku ka treguar potencial dhe siguri mes shtyllave.
Situata në portën e AF Elbasanit është bërë emergjente. Titullari Martin Janacek mungon për shkak të një dëmtimi të rëndë që pësoi në ndeshjen me Flamurtarin , ndërsa Klevi Totoshi është i pezulluar. Problemet nuk mbarojnë këtu, pasi në sfidën e fundit ndaj Vllaznisë nuk ishte i gatshëm as portieri i tretë, Redon Gega, duke e lënë skuadrën praktikisht pa alternativa të tjera.
Në këto kushte, sfida në transfertë ndaj Vorës mund të shënojë debutimin e papritur të Ndoanpan me ekipin e parë të AF Elbasanit. Një mundësi e artë për të riun nga Gana, i cili pritet të marrë përgjegjësi të mëdha në një moment delikat për skuadrën elbasanase.

