Prof.Dr. Elvira Fetahu: Universiteti i Elbasanit, urë mes dijes dhe tregut të punës ,Simpoziumi i Karrierës hap horizonte të reja për të rinjtë

ELBASAN ,23 prill 2026/Albania Express News/Në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” u zhvillua Simpoziumi i Karrierës dhe Aftësive, një aktivitet që bashkon akademinë me tregun e punës, studentët me bizneset dhe institucionet partnere. Në këtë event të rëndësishëm, Rektorja e universitetit, Prof. Dr. Elvira Fetahu, mbajti një fjalim të gjerë dhe vizionar, ku theksoi rolin e universitetit në formimin profesional të të rinjve, ndërkombëtarizimin, bashkëpunimet strategjike dhe mundësitë konkrete të punësimit për studentët. Më poshtë pasqyrohet i plotë fjala e saj.

Fjala e plotë e Rektores së Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, Prof. Dr. Elvira Fetahu

Të nderuar panelistë, miq të universitetit tonë,
Të nderuar përfaqësues të bizneseve dhe institucioneve partnere,
Të nderuar profesorë, studentë dhe ju maturantë që na nderoni sot me praninë tuaj,
Më lejoni t’ju uroj mirëseardhjen,

Është një kënaqësi dhe privilegj i veçantë t’ju mirëpres sot në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”.

Ky edicion i Simpoziumit të Karrierës dhe Aftësive nuk është thjesht një rreshtim aktivitetesh në kalendarin tonë akademik; është kurorëzimi i një vullneti të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të sigurt për të rinjtë tanë.

Ky aktivitet vjen në një moment të rëndësishëm për universitetin tonë. Së fundmi, kemi shënuar një arritje të veçantë institucionale, pasi Universiteti i Elbasanit është përzgjedhur në një rol të ri drejtues në nivel rajonal, duke marrë presidencën e Aleancës së Universiteteve të Ballkanit për vitin 2028. Votëbesimi im si Presidente e Aleancës së Universiteteve të Ballkanit për vitin 2028 përbën një vlerësim të veçantë, por njëkohësisht edhe një përgjegjësi dhe mundësi të rëndësishme për institucionin tonë.
Ky angazhim do të kulmojë me organizimin e Konferencës Vjetore të Aleancës këtu në Elbasan, ku të gjithë rektorët e universiteteve anëtare do të kenë mundësinë të mblidhen së bashku dhe të vizitojnë universitetin tonë, duke e vendosur atë në një rol të rëndësishëm në zhvillimet ndëruniversitare në rajon.

Sot, ky mjedis nuk është vetëm një hapësirë ku jepet dije, por një platformë ku ambicia takohet me mundësinë. Ne besojmë se universiteti modern nuk duhet të jetë një ishull i izoluar, por një urë lidhëse mes auditorit dhe jetës reale, mes librit dhe tregut të punës.

Këtë vit, ne kemi sjellë një risi të rëndësishme: Panairin e Karrierës dhe Aftësive, ku bizneset dhe institucionet e ftuara krijojnë stenda informuese dhe ndërveprojnë drejtpërdrejt me studentët tanë, duke ndërtuar ura konkrete bashkëpunimi dhe punësimi.

Të dashur maturantë, ju jeni në udhëkryqin e jetës suaj, kur duhet të zgjidhni jo thjesht një program studimi, por rrugën që do të përcaktojë suksesin tuaj profesional. Në këtë moment vendimtar, pyetja që lind natyrshëm është: Pse Universiteti “Aleksandër Xhuvani” është zgjedhja e së ardhmes tuaj?

Në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” ju nuk gjeni vetëm programe studimi, por një mjedis të plotë akademik dhe profesional, të ndërtuar për zhvillimin tuaj. Universiteti ynë, i themeluar në vitin 1991, është sot një nga institucionet më të rëndësishme të arsimit të lartë në vend.
Ai përbëhet nga pesë fakultete: Fakulteti i Shkencave Humane dhe të Natyrës, Fakulteti i Shkencave të Edukimit, Fakulteti i Shkencave Mjekësore Teknike, Fakulteti i Biznesit dhe i Drejtësisë, që ofrojnë programe të akredituara dhe të harmonizuara me standardet evropiane, duke siguruar cilësi dhe përgatitje bashkëkohore për studentët tanë.

Një nga pikat tona më të forta është personeli akademik. Mbi 90% e pedagogëve tanë mbajnë tituj dhe grada shkencore dhe janë të angazhuar vazhdimisht në kërkim shkencor, përmirësimin e programeve dhe përgatitjen e studentëve për tregun e punës.

Ne ofrojmë një mjedis modern akademik dhe infrastrukturor, ku teoria lidhet ngushtë me praktikën. Nga auditorët dhe laboratorët, te qendrat e simulimit dhe hapësirat e specializuara të mësimdhënies, çdo element është ndërtuar për t’i dhënë studentit përvojë reale dhe aftësi konkrete profesionale.
Aktualisht po investohet edhe në zgjerimin e infrastrukturës, përfshirë ndërtimin e godinave të reja dhe modernizimin e laboratorëve.

Një dimension tjetër shumë i rëndësishëm është ndërkombëtarizimi. Universiteti ynë është vlerësuar me Erasmus Charter for Higher Education dhe ka dhjetëra marrëveshje me universitete partnere në Evropë.

Çdo vit, rreth dhjetra studentë përfitojnë bursa Erasmus+ për të studiuar jashtë vendit, duke fituar eksperiencë akademike, gjuhësore dhe kulturore që i bën më konkurrues në tregun e punës. Krahas këtyre, universiteti ofron edhe bursa ekselence dhe bursa sociale, duke mbështetur studentët në çdo fazë të rrugëtimit të tyre akademik.

Po ashtu, ne mirëpresim studentë dhe pedagogë ndërkombëtarë, duke krijuar një mjedis të hapur dhe multikulturor. Në këtë kuadër, studentët tanë angazhohen gjithnjë e më shumë në shkolla verore dhe dimërore, workshope, trajnime dhe programe të ndryshme zhvillimi, duke pasuruar përvojën e tyre akademike dhe profesionale.
Një nga rastet më të fundit është pjesëmarrja e studentëve të Fakultetit të Biznesit dhe të Drejtësisë në një program “blended” në Bruksel, në kuadër të marrëveshjeve ndërkombëtare të universitetit.

Universiteti ynë ka ndërtuar një rrjet të fuqishëm dhe strategjik bashkëpunimi me aktorët më të rëndësishëm të tregut të punës në vend. Ky ekosistem përfshin institucione kyçe si Bashkia e Elbasanit, Këshilli i Qarkut dhe Banka e Shqipërisë, duke u shtrirë më tej në një bashkëpunim të ngushtë me Agjencitë Kombëtare të Punësimit dhe një sërë institucionesh të larta të drejtësisë.

Përmes këtyre marrëveshjeve dhe partneriteteve, ne nuk ofrojmë thjesht diplomim, por krijojmë mundësi konkrete për praktika profesionale që shpesh shndërrohen në mundësi punësimi për studentët tanë.

Gjithashtu, përmes Zyrës së Këshillimit të Karrierës dhe Alumni, si dhe Bordit Këshillimor të Biznesit, studentët përfitojnë orientim profesional, trajnime dhe lidhje të drejtpërdrejta me tregun e punës.
Prej 5 vitesh, në bashkëpunim me Zyrën Rajonale të Punës, zbatohet projekti i praktikave profesionale, nga i cili përfitojnë çdo vit dhjetëra studentë. Rreth 80% e të diplomuarve tanë janë të punësuar në sektorin publik dhe privat.

Universiteti nuk është vetëm mësim akademik, por edhe angazhim shoqëror dhe praktik. Një shembull është Klinika Ligjore Universitare në Fakultetin e Biznesit dhe të Drejtësisë, e hapur në bashkëpunim me OSBE, ku studentët ofrojnë ndihmë ligjore falas për qytetarët dhe fitojnë eksperiencë reale profesionale.

Një tjetër aspekt i rëndësishëm është kërkimi shkencor dhe përfshirja në projekte ndërkombëtare. Doktorantë tanë marrin pjesë në rrjete kërkimore prestigjioze si “Marie Curie”, ndërsa numri i lartë i aplikimeve në projekte ndërkombëtare (gati 85 projekte) tregon një kulturë akademike gjithnjë e më dinamike dhe aktive. Universiteti ynë është gjithashtu i abonuar në platforma ndërkombëtare kërkimore si JSTOR, duke u ofruar studentëve dhe stafit akses në literaturë shkencore cilësore.

Në të njëjtën kohë, universiteti organizon konferenca studentore dhe ndërkombëtare, ku studentët marrin certifikata pjesëmarrjeje dhe publikojnë punimet e tyre në edicionet speciale të universitetit, duke u bërë pjesë aktive e kërkimit shkencor.

Ky universitet është një vend ku dija kthehet në përvojë, ku teoria lidhet me praktikën dhe ku çdo student ka mundësinë të ndërtojë të ardhmen e tij.

Të dashur studentë e maturantë,
Shfrytëzoni këtë ditë, dëgjoni, mësoni dhe eksploroni mundësitë që ju ofrohen.
Dhe mbi të gjitha, mbani mend: suksesi nuk është një destinacion i largët, por një rrugëtim që fillon me zgjedhjet që bëni sot.

Në përfundim të fjalës time dëshiroj të falënderoj panelistët tanë të nderuar, që ndanë me ne pasurinë e përvojës së tyre, bizneset dhe institucionet partnere, që me praninë e tyre sot konfirmojnë se besojnë te potenciali i studentëve tanë. Por mbi të gjitha, faleminderit juve, të dashur studentë dhe maturantë, që jeni arsyeja pse ne punojmë çdo ditë për të rritur standardet e këtij universiteti. Por, asgjë nga kjo që shihni sot nuk do të ishte e mundur pa përkushtimin e palodhur të një ekipi që beson te fuqia e ndryshimit. Dëshiroj të falënderoj ekipin tonë organizativ, i përbërë nga personeli ndihmësakademik dhe student që punuan për të koordinuar çdo detaj të këtij simpoziumi dhe për të bërë realitet risinë e panairit të sotëm.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Kuvendi miraton projektligjet në rendin e ditës vetëm me votat e mazhorancës, opozita braktis seancën

TIRANË, 23 prill 2026/Albania Express News/ Kuvendi miratoi në...

IKMT shemb 7 objekte në Elbasan për Korridorin 8, lirohet segmenti Elbasan–Papër

ELBASANI,23 prill 2026/Albania Express News/Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së...

Liverpool lë mënjanë Curtis Jones, rinovimi i pamundur dhe Interi e mendon si ide

Një pistë e lindur gjatë merkatos së janarit mund...