Edi Rama: Thertoret nuk do të mbijetojnë në tregun europian pa ndarjen e mbetjeve shtazore

TIRANË, 21 prill2026/Albania Express News/ Kryeministri Edi Rama, në një takim me operatorët e bizneseve ushqimore, solli në vëmendje domosdoshmërinë e plotësimit të standardeve të thertoreve në vend, konform standardeve që kërkohen në tregun europian.

Rama theksoi se në këtë fushë janë bërë përmirësime krahasuar me kohën kur kjo mazhorancë ka marrë detyrën.

“Më parë gjëja e gjallë therej në trotuar dhe gjaku rridhte në rrugë. E sjell këtë si një nga shëmbëlltyrat e asaj kohe dhe kemi kaluar në një nivel tjetër, por ajo që është shumë e qartë nga pasqyra e problematikave dhe detyrave të lëna, është që niveli ku ne jemi, është shumë më i mirë se ai që ishim për Shqipërinë, por është larg nivelit për të marrë certifikatën për t’i shërbyer tregut europian’”, tha Rama.

Sipas tij, në momentin e anëtarësimit të vendit në BE, çdo gjë që prodhohet dhe del në dyqan në Shqipëri, konsiderohet sikur del në dyqan në Bashkimin Europian.

“Nuk është më çështja që s’të lënë ta çosh në Itali. Çështja është s’të lënë ta shesësh në Shqipëri, sepse je pjesë e Bashkimit Europian dhe duhet të kesh standardet e sigurisë ushqimore që i garantohen qytetarëve të Bashkimit Europian, siç do të jenë qytetarët shqiptarë në momentin e anëtarësimit”, tha Rama.

Problemi më i madh për thertoret, sipas Ramës, është ndarja e mbetjeve që nuk janë për konsum.

“Duhet garantimi i ndarjes sipas standardit të Bashkimit Europian dhe procesi i trajtimit të atyre mbetjeve për të shmangur çdo rrezik kontaminimi dhe çdo rrezik ndikimi të mbetjeve mbi sigurinë mjedisore, ushqimore e kështu me radhë. Asnjë thertore sot nuk e ka këtë proces. Nëse kjo nuk ekziston, thertorja nuk mbijeton në tregun europian”, tha Rama.

Kryeministri informoi se bashkë me Komisionin Europian po punohet për ligjin për nënproduktet shtazore që nuk janë për konsum.

“Do duhet të klasifikojmë mbetjet dhe trajtimin e tyre sipas riskut. Do duhet patjetër të mbështesim sektorin me investimet specifike dhe patjetër të garantojmë gjurmueshmërinë, gjë që sot me teknologjinë e re është plotësisht e mundur nga momenti kur mbetjet gjenerohen në thertore, deri në asgjësim”, theksoi Rama.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Vdes në fushë ish-lojtari i kombëtares së Nigerisë në moshën 40-vjeçare

Bota e futbollit është tronditur nga një ngjarje e...

“Gjithçka ose asgjë: Sopoti dhe Tërbuni ndeshen për një vend mes më të mirëve!”

LIBRAZHD,24 prill 2026/Albania Express News/Nesër, në një pasdite...

Aksident tragjik në aksin Elbasan–Cërrik, humb jetën një person

ELBASAN ,24 prill 2026/Albania Express News/Një aksident i rëndë...