“Zjarr” në fundin e tabelës! Java e 32-të e Abissnet Superiore vendos fatet e mbijetesës

Fundsezoni në elitën e futbollit shqiptar po kthehet në një dramë të vërtetë sportive. Java e 32-të e Abissnet Superiore sjell përballje që vlejnë më shumë se tre pikë  janë ndeshje që mund të përcaktojnë fatin e skuadrave për sezonin e ardhshëm. Në zonën e ftohtë të tabelës, çdo gabim kushton shtrenjtë dhe çdo rezultat mund të përmbysë gjithçka.

Në sfidën e sotme, Vora pret liderët e Vllaznia në një duel ku surpriza është e vetmja shpresë për vendasit. Të besuarit e trajnerit Bellai vijnë me moral të lartë pas rezultateve pozitive në javët e fundit dhe synojnë të ndalin kryesuesit për të mbajtur gjallë ëndrrën e mbijetesës.

Ndërkohë, kryeqyteti ndizet nga derbi mes Dinamo City dhe KF Tirana në “Air Albania”. Bardheblutë vijnë të karikuar pas fitores ndaj Egnatias dhe kërkojnë të prishin planet e Dinamos për “Final Four”. Nga ana tjetër, skuadra e drejtuar nga Orges Shehi luan një nga kartat e fundit për të shmangur rrezikun, duke i bërë llogaritë edhe me rezultatet e rivalëve.

Të dielën, tensioni zhvendoset në “Arena e Demave”, ku Partizani Tirana pret Bylis Ballsh. Ballshiotët e drejtuar nga Mirel Josa janë të detyruar të luftojnë për çdo pikë, me synimin për të siguruar të paktën zonën e “play-out”. Presioni është maksimal dhe çdo hap fals mund të jetë fatal.

Në këtë fazë të kampionatit, matematika nuk fal dhe emocionet janë në kulm. Gara për mbijetesë është kthyer në një “luftë nervash”, ku vetëm skuadrat më të forta psikologjikisht do të arrijnë të mbijetojnë në elitë.
Kush do të rezistojë deri në fund dhe kush do të dorëzohet në “ferrin” e Superiores? Përgjigjja nis të shkruhet që këtë javë…

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME