Futbolli italian në kaos/ Nga turpi i kombëtares te dështimi i klubeve në Europë, ekspertët paralajmërojnë: Vetëm pas 10 vitesh…

Futbolli italian po përballet me një nga periudhat më të vështira të viteve të fundit, ndërsa dështimet në arenën ndërkombëtare vazhdojnë të grumbullohen dhe të ngrenë pikëpyetje serioze për të ardhmen e sistemit.

Pas mospjesëmarrjes për të tretën herë radhazi nga Kupa e Botës dhe një sezoni zhgënjyes në UEFA Champions League, ku vetëm Atalanta arriti në fazën e 1/16-ave përpara se të pësonte një humbje të thellë ndaj Bayern Munich, situata është përkeqësuar më tej.
Eliminimi i Bolognas dhe Fiorentinës nga garat evropiane ka vulosur një tjetër dështim historik: për herë të parë pas shtatë vitesh, asnjë ekip i Serie A nuk do të jetë në gjysmëfinalet e kompeticioneve evropiane.

Ky regres nuk reflektohet vetëm te klubet, por edhe te kombëtarja Italia, e cila tashmë renditet jashtë dhjetëshes më të mirë në botë. Ekspertët paralajmërojnë se, nëse nuk ndërmerren masa të thella reformuese, kjo situatë mund të kthehet në normë.
Sipas Pierfilippo Capello, ndryshimet kozmetike si emërimi i një presidenti të ri apo një trajneri të ri nuk do të jenë të mjaftueshme për të përmbysur trendin negativ.
Një nga propozimet për ringjalljen e futbollit italian, i lidhur me trajnerin Luciano Spalletti, është aktivizimi i detyrueshëm i një lojtari nën 19 vjeç në çdo ndeshje. Por, sipas Capello-s, kjo është e vështirë për t’u zbatuar: “Nuk mund të imponohet ligjërisht. Mund të arrihet vetëm përmes marrëveshjeve mes klubeve, dhe edhe atëherë me kufizime të shumta.”
Një tjetër problem madhor është përqindja e lartë e lojtarëve të huaj në kampionat, që arrin rreth 70% të minutave të luajtura, shumë më tepër se në vende si Spanja. Megjithatë, ligjet e Bashkimit Europian e bëjnë pothuajse të pamundur vendosjen e kufizimeve të drejtpërdrejta.
Një zgjidhje e mundshme shihet te zhvillimi i ekipeve “Next Gen”, por vetëm pak klube italiane i kanë aktualisht. Federata FIGC mund të vendosë rregulla për rritjen e investimeve në akademi, por kostot e larta mbeten pengesë kryesore.
Ndërkohë, ideja për lehtësira fiskale për transferimet e lojtarëve italianë shihet me skepticizëm, pasi mund të përballet me kundërshtime ligjore.
Në aspektin e infrastrukturës, ka sinjale pozitive: procedurat për ndërtimin e stadiumeve janë përmirësuar dhe gjithnjë e më shumë klube po nisin projekte të reja. Megjithatë, suksesi do të varet nga realizimi konkret i tyre në kohë dhe brenda buxhetit.
Një tjetër shqetësim është rënia e interesit të fëmijëve për futbollin. Sporte si tenisi po fitojnë terren, ndërsa futbolli perceptohet gjithnjë e më shumë si një mjedis problematik.
Ekspertët theksojnë se çdo reformë serioze kërkon kohë dhe një plan afatgjatë. Sipas Capello-s, një strategji efektive duhet të kalojë në tre faza: analizë të problemit, studim të modeleve të suksesshme ndërkombëtare dhe zbatim të reformave.
“Frytet e reformave mund të shihen vetëm pas 10 vitesh, duke lejuar zhvillimin e të paktën dy brezave futbollistësh.”
Pengesa më e madhe mbetet rezistenca ndaj ndryshimit nga aktorët e sistemit. Çdo reformë prek interesa të caktuara dhe krijon pasiguri.
Për këtë arsye, ekspertët sugjerojnë që çdo plan reformash të shoqërohet me përfitime të qarta për të gjitha palët dhe me afate konkrete për arritjen e rezultateve.
Në të kundërt, rreziku është që futbolli italian të vazhdojë rënien dhe të humbasë statusin e tij historik në arenën ndërkombëtare.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME