“Nuk dua lëmoshë, dua të punoj” :Thirrja prekëse e 33-vjeçarit nga Elbasani që jeton mes sëmundjes,varfërisë dhe frikës nga shembja e shtëpisë

Në një cep të heshtur të lagjes Shënkoll në Elbasan, mes mureve të çara dhe një çatie që rrezikon të shembet , jeton Andrea Ranxha  një histori e gjallë e mbijetesës, dinjitetit dhe shpresës që nuk shuhet.

33-vjeçari jeton i vetëm, i braktisur nga fati që në foshnjëri. Jetim, i birësuar dhe i rritur me dashuri nga një çift elbasanas, sot ai përballet me jetën pa asnjë mbështetje. Babai i tij birësues ndërroi jetë në vitin 2015, ndërsa nëna, e vetmja shtyllë që i kishte mbetur, u nda nga jeta në korrik të vitit 2024, duke e lënë Andrean krejtësisht vetëm përballë sfidave të jetës.

Shtëpia ku ai jeton është një tjetër dramë më vete. E dëmtuar rëndë nga tërmeti i vitit 2019, ajo sot është kthyer në një rrezik real për jetën e tij. Çdo natë, Andrea fle me frikën se muret mund të shemben mbi kokën e tij.

Me vetëm 11.500 lekë në muaj pension invaliditeti, ai përpiqet të mbijetojë. Kjo shumë mezi i mjafton për ilaçet që detyrohet të marrë për shkak të skoliozës, një sëmundje që i shkakton dhimbje të forta dhe të vazhdueshme. Për ushqimet, shpesh detyrohet të marrë me listë, ndërsa faturat e energjisë dhe ujit mbeten një barrë e papërballueshme.

Aktualisht ka disa muaj pa e paguar energjinë edhe pse fatura e saj është tejet minimale , ndërsa furnizimi me ujë i është ndërprerë pasi është debitor në shumën prej 600 mijë lekë të vjetea .Por, pavarësisht vështirësive ekstreme, Andrea nuk kërkon mëshirë.

“Nuk dua lëmoshë, dua vetëm të punoj në një punë ku mundem ,” thotë ai me një zë që i dridhet, por që mbart një forcë të rrallë. “Qoftë edhe të pastroj rrugët, të punoj në varreza, vetëm të kem një mundësi për të jetuar me dinjitet.”

Për të siguruar mbijetesën, Andrea bën çdo punë që i del përpara edhe pse përballet me paragjykime . Pastron varrezat, ndihmon fqinjët dhe shpesh del në bulevardin kryesor të Elbasanit me dajre për të kënduar, duke shpresuar të fitojë disa të ardhura të vogla. Megjithatë, përpjekjet e tij për të gjetur një punë të qëndrueshme kanë hasur në dyer të mbyllura.

Ai tregon se ka trokitur disa herë edhe në Bashkinë e Elbasanit, duke kërkuar një mundësi punësimi, qoftë në pastrim rrugësh apo mirëmbajtje, por deri më tani është përballur me indiferencë dhe përbuzje.

Sot, shpresa e tij e fundit është një apel i drejtpërdrejtë për Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

“Zoti Kryeministër, nuk dua para. Dua vetëm një punë dhe një shtëpi të sigurt. Kam frikë të fle natën se më bie shtëpia mbi kokë. Vetëm kaq kërkoj,” shprehet Andrea Ranxha , ndërsa tregon ilaçet që e mbajnë në këmbë çdo ditë.

Historia e tij është një rrëfim i sinqertë i realitetit të jetës së tij mes varfërisë  dhe  një thirrje për dinjitet. Një djalë i ri, me ëndrra të thjeshta si çdo njeri ,të punojë, të krijojë një familje, të jetojë si gjithë të tjerët.

“Dua të fejohem, të martohem, të kem një jetë normale. Nuk dua të jem barrë për askënd,” thotë ai, me një shpresë që ende refuzon të shuhet.Solidariteti në këtë rast nuk duhet të mbetet vetëm fjalë.Historia e Andrea Ranxhës vjen si një kujtesë e fortë se dinjiteti njerëzor nuk kërkon mëshirë ,por një mundësi.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME