Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar me një deklaratë publike lidhur me kërcënimin ndaj gazetares Avi Mema dhe operatorit Nertil Mataj, pjesë e emisionit investigativ “Piranjat”, pas publikimit të një investigimi mbi raste të dyshuara mashtrimi.
Në deklaratën e bërë publike më 3 mars 2026, UGSH dënon ashpër sjelljen dhe mesazhet kërcënuese të publikuara në rrjetet sociale nga shtetasja Elena Demollari, të cilat, sipas Unionit, përmbajnë edhe simbolika ogurndjellëse dhe gjuhë stigmatizuese ndaj gazetarëve. Sipas tyre, këto veprime përbëjnë një kërcënim të hapur ndaj integritetit fizik dhe psikologjik të gazetares dhe operatorit.
“Ky rast është një tjetër shprehje e agresivitetit dhe kulturës së kërcënimit ndaj reporterëve, veçanërisht atyre investigues, të cilët përballen me reagime të tilla për shkak të publikimit të fakteve dhe denoncimeve mbi veprime të dyshuara antiligjore”, thuhet në reagimin e UGSH.
Unioni i bën thirrje autoriteteve shtetërore, konkretisht Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, që të ndërmarrin masa të menjëhershme për garantimin e sigurisë së gazetarëve dhe të nisin hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti kërcënimi për shkak të detyrës.
Në përfundim, UGSH shpreh solidaritetin e plotë me stafin e “Piranjave”, duke inkurajuar të gjithë gazetarët që të vijojnë misionin e tyre për raportim të pavarur, të guximshëm dhe në shërbim të së vërtetës.

