Kryetarja e Forumit Demokrat të Gruas në Elbasan, Rudina Alla në mbledhjen e organizuar me demokratët e Elbasanit ka shprehur pakënaqësitë e saj ndaj lidershipit të Partisë Demokratike.
Rudina Alla u shpreh se përjashtimi saj nuk është një dënim për atë por, është një shenjë frike nga gara.
Gjithashtu, Alla thekson se e kanë përjashtuar sepse ka besuar se Partia Demokratike nuk është pronë e askujt, por është sakrifica e mijëra njerëzve që kanë besuar te liria.

Fjala e plotë e Rudina Allës:
Demokratë të Elbasanit, miq, bashkëpunëtorë, njerëz me të cilët kam ndarë vite sakrifice, pune dhe besimi,
Sot nuk jam përpara jush për të qarë për një përjashtim. Jam përpara jush për të thënë një të vërtetë që shumëkush e di, por pak guxojnë ta thonë me zë të lartë: përjashtimi im nuk është një dënim për mua, është një shenjë frike nga gara.
Sepse kur një parti ka frikë nga një zë ndryshe, nga një kandidat që nuk përkulet, nga një njeri që kërkon votën e demokratëve dhe jo bekimin e një njeriu të vetëm, atëherë problemi nuk është tek ai që përjashtohet. Problemi është tek ata që nuk pranojnë më demokracinë brenda shtëpisë së tyre.
Unë sot dua t’ju them diçka shumë të thjeshtë: më kanë bërë nder që më kanë futur në një listë të gjatë njerëzish që kjo parti i ka shpallur “armiq”. Dhe kjo listë nuk fillon me mua. Fillon shumë më herët.
Fillon me ata që e ndërtuan këtë parti. Fillon me Pashkon, me Cekën, me Peshkëpinë, me Imamin. Fillon me njerëzit që në vitet më të vështira ngritën një parti nga hiçi dhe i dhanë Shqipërisë një shpresë të re. Pastaj vazhdoi me Azem Hajdarin, me Pollo-n, me Çollakun, me Krasniqin, me Ngjelën dhe shumë të tjerë që në një moment të jetës së tyre politike u shpallën “armikë” vetëm sepse menduan ndryshe.
Pra çdo 4–5 vjet, kjo parti ka prodhuar të paktën një grup të ri “armiqsh”. Dhe kjo nuk është më një rastësi. Kjo është një mënyrë e të menduarit. Është një mentalitet i vjetër, një mentalitet që e kemi parë dikur dhe që nuk duhej të kthehej më kurrë në politikën shqiptare.
Sepse kur çdo njeri që mendon ndryshe shpallet armik, atëherë problemi nuk është tek njerëzit. Problemi është tek sistemi që nuk pranon ndryshimin.
Disa prej atyre që u shpallën armiq e kuptuan menjëherë gabimin dhe u kthyen me “autokritikë”. Disa u falën, disa u toleruan, disa heshtën për të shpëtuar vendin e tyre në politikë. Por kishte edhe nga ata që nuk pranuan të përulen. Dhe historia i ka respektuar pikërisht ata që nuk u përkulën.
Sot radha është e imja. Dhe unë nuk kam ndërmend të bëj autokritikë për një gjë që nuk është gabim. Nuk është gabim të kërkosh garë. Nuk është gabim të kërkosh votën e demokratëve. Nuk është gabim të mos pranosh që një parti të kthehet në një bunker ku hyn vetëm kush mendon njësoj dhe del vetëm kush bindet.
Mua më kanë përjashtuar sepse kam kërkuar garë të ndershme. Më kanë përjashtuar sepse nuk kam pranuar të jem dekor. Më kanë përjashtuar sepse kam besuar se Partia Demokratike nuk është pronë e askujt, por është sakrifica e mijëra njerëzve që kanë besuar te liria.
Por dua t’ju them diçka shumë të rëndësishme: një përjashtim nuk e ndalon një ide. Një vendim nuk e ndalon një zë. Dhe mbi të gjitha, një njeri nuk mund të ndalë dot vullnetin e demokratëve kur ata vendosin të flasin.
Unë nuk jam kundër askujt nga ju. Nuk jam kundër demokratëve. Përkundrazi, jam këtu sepse ju respektoj. Sepse kam ndarë me ju jo vetëm fjalime dhe fushata, por edhe punën, vështirësitë, lodhjen, zhgënjimet dhe shpresat. Ne nuk kemi qenë kurrë një grup njerëzish që presin urdhra. Kemi qenë njerëz që kanë luftuar për bindje.
Sot nuk është dita për të ulur kokën. Është dita për të ngritur zërin. Sepse një parti që përjashton njerëzit që kërkojnë garë, nesër do të përjashtojë këdo që mendon ndryshe. Dhe kur një parti fillon të ketë frikë nga vetja e saj, ajo nuk humbet vetëm zgjedhjet. Humbet shpirtin.
Unë nuk kam frikë nga gara. Nuk kam frikë nga vota. Nuk kam frikë nga demokratët. Sepse e di shumë mirë që demokrati i vërtetë nuk frikësohet nga mendimi ndryshe. Demokrati i vërtetë nuk përjashton, por bind. Nuk mbyll derën, por hap rrugën.
Nëse sot më kanë përjashtuar, kjo nuk do të thotë që jam më i dobët. Do të thotë që dikush është më i frikësuar. Dhe frika nga gara është shenja më e qartë se dikush e di që nuk mund të fitojë më me ide, por vetëm me përjashtime.
Unë sot nuk ju kërkoj as mëshirë dhe as mbështetje të verbër. Ju kërkoj vetëm një gjë: të mendoni vetë. Të pyesni veten: a është kjo Partia Demokratike për të cilën kemi luftuar? A është kjo ajo parti që duhet të përjashtojë çdo zë të ri? A është kjo ajo parti që duhet të ketë frikë nga gara?
Nëse përgjigjja është jo, atëherë beteja jonë nuk mbaron sot. Sot ajo vetëm fillon.
Faleminderit!

