Patia Demokratike në Elbasani ka tashmë një drejtues të ri i cili rezultoi i votuar bindshëm në fund të një provesi zgjedhor ku gara ishte mes pesë kandidatëve . Pas përfundimit të procesit zgjedhor brenda degës, demokratët i kanë besuar drejtimin Alis Narazanit, i cili ka reaguar menjëherë me një mesazh falënderimi dhe angazhimi për katër vitet e ardhshme.
Në një postim në rrjetet sociale, Narazani është shprehur thellësisht mirënjohës për besimin e dhënë, duke e cilësuar këtë detyrë si një privilegj të madh, por edhe një përgjegjësi të rëndësishme që do ta mbajë me përkushtim maksimal.
Ai ka vlerësuar pjesëmarrjen e anëtarësisë në proces, duke theksuar qytetarinë dhe standardet e treguara gjatë votimit. Një falënderim i veçantë është adresuar edhe për kandidatët në garë , Sokolin, Durimin, Eliorin dhe Lumturinë për një garë që, sipas tij, ishte model dhe në nder të Partisë Demokratike.
Narazani nuk ka lënë pa përmendur edhe rolin e komisionerëve dhe drejtuesve politikë që kontribuuan në mbarëvajtjen e procesit, si dhe mbështetjen e figurave drejtuese në nivel qarku dhe deputetëve.
Duke e cilësuar besimin e marrë si një detyrim moral dhe politik, kreu i ri i PD Elbasan ka premtuar angazhim të përditshëm në shërbim të demokratëve dhe qytetarëve. Ai ka shpallur nisjen e një “rrugëtimi të ri” për degën, duke bërë thirrje për bashkim dhe rikthim të të gjithë atyre që janë larguar ndër vite.
“Dera do të jetë e hapur për të gjithë. Rikthehuni në shtëpinë tuaj”, është mesazhi i tij për demokratët.
Ndërkohë, pritshmëritë brenda bazës demokrate janë të larta për sfidat që priten përpara, duke nisur nga zgjedhjet lokale të pranverës së vitit 2027. Pas më shumë se dy dekadash në opozitë në nivel vendor në Elbasan, ku Partia Demokratike ka njohur vetëm humbje, mbështetësit shohin tek drejtimi i ri një mundësi për kthesë politike.
Riorganizimi i strukturave, bashkimi i faktorëve të brendshëm dhe rikthimi i besimit tek elektorati pritet të jenë provat më të mëdha për Narazanin dhe ekipin e tij. Sfida mbetet rikthimi i PD-së si një alternativë konkurruese dhe fituese në një nga bastionet më të vështira elektorale në vend.

