Një histori që duket si skenar filmi, por që në fakt është realiteti i rrugëtimit të një prej talenteve më të mëdhenj të futbollit shqiptar, Armando Broja. Ish-futbollisti i Kombëtares dhe trajneri i njohur Nevil Dede ka zbuluar detaje të panjohura më parë mbi mënyrën se si sulmuesi u afrua për herë të parë me fanellën kuqezi.
I ftuar në emisionin “Koha Shtesë”, Dede tregoi se gjithçka nisi krejt rastësisht në aeroportin e Rinasit. Teksa po përcillte vajzën e tij, ai u takua me skautin Enzo Aliaj, një takim që do të rezultonte vendimtar për të ardhmen e Brojës.
“Enzo Aliaj ma sugjeroi. U ulëm për një kafe dhe më tregoi një listë lojtarësh, mes të cilëve ishte edhe Armando Broja,” rrëfen Dede, duke nënvizuar rolin kyç të skautimit në atë moment.
Në atë kohë, Broja ishte pjesë e akademisë së Chelsea-t, por pa një rol të rëndësishëm. “Ishte te U-18, rrinte në stol dhe kishte shënuar vetëm një gol,” kujton Dede. Megjithatë, besimi i dhënë nga stafi i ekipeve kombëtare shqiptare rezultoi një kthesë e madhe për karrierën e tij.
“I kam dhënë shansin Armando Brojës. Jam krenar, modestisht, që hapa tregun e lojtarëve shqiptarë të Anglisë,” thekson ai, duke e konsideruar këtë si një moment të rëndësishëm jo vetëm për lojtarin, por edhe për futbollin shqiptar në tërësi.
Sipas Dedes, aktivizimi me Shqipërinë i ndryshoi rrjedhën e jetës sulmuesit. “Pasi erdhi te Kombëtarja, shënoi pafund gola dhe arriti deri te ekipi i parë i Chelsea-t,” shton ai.
Në fund, ish-trajneri nuk kursen as një mesazh të fortë për lojtarin: “Broja duhet t’i bëjë një lapidar Shqipërisë. Ai i ka borxh Kombëtares.”
Një rrëfim që hedh dritë mbi rëndësinë e besimit dhe mundësisë në momentin e duhur – elementë që, në rastin e Armando Brojës, rezultuan vendimtarë për të ndërtuar një karrierë në nivelet më të larta të futbollit europian.

