Nga Fatmir Popja
Mes kodrinave të buta e të ulta të zonës së Dumresë, aty ku natyra ka ditur të ndërtojë me dorë të qetë një peizazh që të mbetet gjatë në kujtesë, shtrihet Liqeni i Seferanit,Monument Natyre, një nga pasuritë më të rralla natyrore të Belshit dhe tashmë një Monument Natyre që po forcon edhe më shumë profilin e zonës si një destinacion i rëndësishëm i turizmit të gjelbër në Shqipëri.
Në pamje të parë, liqeni karstik i Seferanit të jep ndjesinë e një vendi që nuk ka nevojë të flasë shumë për veten. Mjafton ta shohësh. Ujërat e qeta, gjelbërimi përreth, bimësia që ndryshon ngjyrë sipas stinëve dhe qetësia që mbështjell gjithë zonën, krijojnë një panoramë që e shkëput vizitorin nga zhurma e përditshmërisë dhe e ftojnë bashkë me njësitë e shërbimit rreth tij në një përjetim ndryshe, më të pastër, më njerëzor dhe më pranë natyrës.
Shpallja e Liqenit karstik të Seferanit si Monument Natyre përbën një moment të rëndësishëm jo vetëm për mbrojtjen e kësaj pasurie të rrallë e të veçantë, por edhe për rritjen e vëmendjes ndaj potencialit të madh që Belshi mbart në fushën e ekoturizmit. Statusi që ka Liqeni i Seferanit është një vlerësim i merituar për një nga perlat më të bukura të natyrës shqiptare, që spikat për bukurinë e tij të rrallë, për ekosistemin unik dhe për lidhjen e fortë që ka me historinë dhe identitetin e zonës.

I vendosur në fshatin Seferan, liqeni ka një sipërfaqe prej rreth 87.5 hektarësh, gjerësi deri në 500 metra, gjatësi rreth 2 kilometra dhe thellësi maksimale që arrin në 20.8 metra. Këto përmasa e bëjnë atë një nga liqenet më përfaqësues të Dumresë, ndërsa karakteri i tij karstik i jep një veçanti të rrallë gjeologjike dhe natyrore. Në thelb, Seferani nuk është vetëm një pasqyrë uji mes kodrave, por një ekosistem i gjallë, me vlera të mëdha natyrore, turistike dhe kulturore.
Në brigjet e tij, vizitori mund të shijojë ecje të qeta në natyrë, të vëzhgojë florën dhe faunën vendase, të ndalet për të soditur peizazhin apo thjesht të përjetojë atë qetësi që sot është kthyer në luks. Në pranverë dhe në vjeshtë, kjo zonë merr një tjetër dimension. Bimësia për rreth këtij liqeni shpërthen me ngjyra të forta, drita mbi sipërfaqen e ujit krijon pamje mbresëlënëse, ndërsa zambakët e bardhë dhe të verdhë, aq karakteristikë për liqenet e Dumresë, e bëjnë këtë peizazh edhe më të rrallë e tërheqës.

Nuk është rastësi që Liqeni i Seferanit po kthehet në një nga atraksionet më të pëlqyera për turistët që zgjedhin të eksplorojnë bukuritë natyrore të Shqipërisë së mesme. Ky monument natyre ofron jo vetëm një përvojë relaksuese, por edhe një takim të drejtpërdrejtë me biodiversitetin dhe me një mjedis ende të paprekur nga ritmi agresiv i urbanizimit. Këtu, turizmi nuk vjen si zhurmë, por si përjetim.
Belshi, që vetëm pak vite më parë shihej si një qytezë e qetë mes liqenesh, sot po afirmohet gjithnjë e më shumë si një destinacion i konsoliduar turistik në qarkun e Elbasanit. Me infrastrukturë të përmirësuar, me promovim të qëndrueshëm dhe me një identitet natyror të spikatur, kjo zonë po tërheq vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj, të cilët largohen prej këtu të mahnitur jo vetëm nga peizazhi, por edhe nga mikpritja lokale.

Në këtë mozaik të mrekullueshëm natyror, Seferani zë një vend të veçantë. Ai është një pikë takimi mes natyrës, historisë dhe kujtesës së lashtë. Në perëndim të qytezës, në këtë liqen, sipas të dhënave historike dhe gojëdhënave të zonës, ndodhej dikur faltarja e Afërditës, ku kulti i perëndeshës ushtrohej përmes hedhjes në ujë të enëve prej terrakote si dhurata. Kjo e bën liqenin jo vetëm një pasuri natyrore, por edhe një hapësirë me jehonë mitologjike, ku natyra dhe lashtësia duket sikur bashkëjetojnë ende.
Seferani është gjithashtu pjesë e një pasurie shumë më të gjerë që e bën Belshin unik në hartën shqiptare.Në territorin e Bashkisë Belsh numërohen mbi 84 liqene natyrorë karstikë, me një sipërfaqe totale prej rreth 640 hektarësh dhe me kapacitet ujëmbajtës prej afro 26 milionë metra kub ujë. Të krijuara nga fenomenet karstike në zbrazjet e shkëmbinjve të gipsit, këto liqene ndryshojnë në madhësi, formë e thellësi, por secili mbart bukurinë dhe veçantinë e vet. Disa prej tyre përdoren edhe për vaditje në bujqësi, ndërsa të tjerë dallohen për florën ujore, torfën apo praninë e llojeve të ndryshme të peshqve si krapi, ballgjëri dhe amuri.

Zona e Dumresë është një mrekulli më vete, një peizazh që të bën për vete në të katër stinët, por sidomos në pranverë dhe në vjeshtë, kur natyra vishet me ngjyrat e saj më të forta. Dhe mes gjithë kësaj pasurie, liqene si Seferani, Merhoja, Çestija apo Dega përfaqësojnë jo vetëm bukuri natyrore, por edhe pika kyçe për zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, rural dhe ekologjik.
Pikërisht për këtë arsye, shpallja e Liqenit të Seferanit Monument Natyre shkon përtej një vendimi administrativ. Ajo është një thirrje për ta parë Belshin me një sy tjetër, si një zonë që nuk ofron vetëm bukuri për t’u soditur, por edhe mundësi reale zhvillimi ekonomik përmes turizmit natyror. Ecjet në natyrë, fotografia, vëzhgimi i florës dhe faunës, aktivitetet e lehta rekreative dhe eksperiencat autentike në zonat rurale po e bëjnë këtë territor gjithnjë e më të kërkuar.

Sot, Belshi i rilindur po ndërton një identitet të ri, të bazuar mbi natyrën, qetësinë dhe autenticitetin. Dhe në zemër të këtij identiteti, Liqeni i Seferanit qëndron si një emblemë e gjallë e asaj që kjo zonë përfaqëson ,një Shqipëri të pastër, të bukur, mikpritëse dhe ende të pazbuluar plotësisht.
Për këdo që kërkon një vend ndryshe, larg rrëmujës, pranë natyrës dhe përballë një peizazhi që të mbush me frymë, Seferani mbetet një ftesë e hapur. Një pasuri që duhet parë, duhet përjetuar dhe mbi të gjitha, duhet ruajtur.
Liqeni i Seferanit është jo vetëm një monument natyre , por një dëshmi e qartë se Belshi ka gjithçka për t’u kthyer në një nga modelet më të bukura të ekoturizmit në Shqipëri, aty ku natyra nuk është vetëm dekor, por vetë zemra e zhvillimit.


