NGA FATMIR POPJA
Blerind Morina po kthehet në një nga emrat më të spikatur të futbollit kosovar, teksa forma e tij fantastike është shpërblyer me vlerësimin “Ylli i Javës” për xhiron e 25-të në Albi Mall Superligën e Kosovës. Mesfushori i SC Gjilanit ishte protagonist absolut në triumfin e rëndësishëm në transfertë ndaj Llapit, ku kuqebardhët fituan me rezultatin spektakolar 2:3.

Në një ndeshje me ritëm, tension dhe peshë të madhe për ecurinë e sezonit, Morina tregoi klasin e një lojtari që di të marrë përgjegjësi në momentet vendimtare. Ai jo vetëm që drejtoi repartin e mesfushës me qetësi e siguri, por realizoi edhe një gol të jashtëzakonshëm, i konsideruar si një ndër më të bukurit e këtij sezoni. Ishte një realizim që elektrizoi tifozët dhe vulosi një paraqitje për t’u mbajtur mend gjatë.

Ky vlerësim i akorduar nga Komisioni i Veteranëve nuk vjen rastësisht. Ai është pasqyrë e një lojtari që po rritet nga java në javë, duke u kthyer në motorin e skuadrës së Gjilanit në një moment vendimtar të kampionatit. Me shpirt gare, cilësi teknike dhe ndikim të drejtpërdrejtë në lojë, Morina po dëshmon se është një nga armët më të forta të kuqebardhëve në garën për objektiva madhorë.
Pas marrjes së çmimit, Blerind Morina u shpreh i lumtur për këtë vlerësim, duke ia atribuar suksesin punës së përbashkët të skuadrës dhe stafit teknik.

“Gjatë tërë javës kemi punuar shumë dhe kemi analizuar Llapin. Kjo ka qenë një fitore shumë e rëndësishme për ne. Objektivi i ekipit gjithmonë ka qenë dalja në Evropë, por duke e parë tabelën, pse jo edhe më shumë. Falënderoj stafin e trajnerëve dhe bashkëlojtarët. Këtë çmim ia dedikoj SC Gjilanit”, është shprehur ai për faqen zyrtare të FFK-së.

Këto fjalë tregojnë qartë jo vetëm karakterin sportiv të Morinës, por edhe frymën pozitive që po ndërtohet te SC Gjilani. Ambicia për të siguruar një vend në Evropë tashmë është e qartë, por duke parë formën e ekipit dhe renditjen, te kuqebardhët duket se askush nuk ka ndërmend të vendosë kufij.
Për Gjilanin, ky është një sinjal shumë i fortë në fazën më delikate të sezonit. Kur një skuadër ka në përbërje lojtarë që bëjnë diferencën dhe marrin mbi supe përgjegjësinë, atëherë ëndrrat bëhen më të prekshme.
Dhe Blerind Morina, me paraqitjet e tij, po e dëshmon se është një lider i heshtur që flet me lojë, me gola dhe me zemër në fushë.
Përgëzime Blerind Morina! “Ylli i Javës” është vetëm një tjetër dëshmi se talenti, puna dhe përkushtimi gjithmonë shpërblehen.

