Atmosfera festive që ka përfshirë Elbasan në kuadër të festimeve të “Dita e Verës 2026” po shoqërohet këtë vit edhe me një aktivitet që ka tërhequr vëmendjen e qindra vizitorëve: Panairi “Nga Toka Jonë në Sofrën Tuaj”.
I vendosur në sheshin para stafiumit të qytetit, panairi është kthyer në një pikë takimi mes prodhuesve vendas dhe qytetarëve, ku aroma e produkteve tradicionale dhe cilësia e prodhimit shqiptar shfaqen në çdo stendë. Vizitorët e shumtë që kalojnë përgjatë hapësirës së panairit ndalen për të provuar dhe blerë produkte të ndryshme bujqësore e blegtorale, duke vlerësuar gjithnjë e më shumë prodhimin vendas.

Në stenda janë ekspozuar një gamë e gjerë produktesh ,fruta dhe perime të freskëta, produkte të përpunuara, bulmet, mjaltë, verëra dhe specialitete të tjera tradicionale, të sjella nga kompani prodhuese jo vetëm nga Elbasani, por nga e gjithë Shqipëria. Ky panair po dëshmon se bujqësia shqiptare ka potencial të madh për të furnizuar tregun vendas me produkte cilësore dhe konkurruese.

I pranishëm në aktivitet ishte edhe ministri i Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, i cili e cilësoi organizimin e këtij panairi si një risi të rëndësishme në festimet e Ditës së Verës. Sipas tij, kjo nismë ka potencialin të kthehet në një traditë të përvitshme në Elbasan dhe të shtrihet edhe në qytete të tjera të vendit.
Ministri Salla theksoi se qëllimi i aktiviteteve të tilla është promovimi i produkteve shqiptare, forcimi i tregut vendas dhe rritja e eksporteve bujqësore, duke i dhënë prodhuesve mundësi më të mëdha për të prezantuar cilësinë dhe origjinën e prodhimeve të tyre.

Në fjalën e tij, Salla bëri të ditur se gjatë ditëve të fundit ministria ka marrë pjesë edhe në dy panaire ndërkombëtare, duke synuar hapjen e tregjeve të reja për prodhimet shqiptare. Një tjetër fokus i rëndësishëm mbetet siguria ushqimore, që sipas tij është një nga shtyllat kryesore për të rritur besimin e konsumatorëve dhe për të përmbushur standardet europiane.
Ai nënvizoi gjithashtu se masat e reja për nxitjen e prodhimit cilësor, mbështetja për fermerët dhe blegtorët, si dhe perspektiva për hapjen e fondeve të Bashkimit Europian në të ardhmen, do të krijojnë më shumë mundësi zhvillimi për sektorin bujqësor. Një vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe mbrojtjes biologjike të kulturave bujqësore, duke nxitur prodhimin e frutave dhe perimeve pa pesticide.

Sipas ministrit, këto politika janë një hap i rëndësishëm për të përgatitur Shqipërinë që të jetë një pjesë dinjitoze e tregut europian, ku cilësia, siguria ushqimore dhe origjina e produkteve janë faktorë vendimtarë.
Panairi “Nga Toka Jonë në Sofrën Tuaj” nuk është vetëm një aktivitet ekonomik, por edhe një festë e identitetit bujqësor shqiptar, që i jep festës së pranverës në Elbasan një dimension të ri ,bashkimin e traditës, prodhimit vendas dhe krenarisë për produktet shqiptare.


