Lojërat Olimpike Dimërore “Milano-Cortina 2026” janë zyrtarisht të hapura pas ceremonisë madhështore të zhvilluar në mitikun “San Siro”, duke shënuar nisjen e një tjetër kapitulli të rëndësishëm të sportit botëror. Mes emocionit olimpik, Shqipëria paraqitet me ambicie dhe krenari, e përfaqësuar nga katër skiatorë alpinë që synojnë të lënë gjurmën e tyre në arenën më të madhe dimërore që zhvillohet çdo katër vite.Një nga emrat që spikat është Lisa Brunga, 17-vjeçarja shqiptaro-kanadeze me origjinë nga Lezha, e cila po tërheq vëmendjen si një histori suksesi, përkushtimi dhe identiteti. E lindur më 1 dhjetor 2008 në Kanada, Lisa është rritur me vlerat dhe rrënjët shqiptare, të kultivuara fort nga familja e saj. Në një moshë shumë të re, ajo nuk hezitoi aspak të zgjedhë flamurin kuqezi, duke marrë mbi supe përgjegjësinë dhe emocionin e një Olimpiade.

Vendimi për të përfaqësuar Shqipërinë nuk ishte aspak marketing. Dy vite më parë, Lisa u angazhua personalisht në një fushatë për mbledhje fondesh në mbështetje të Federatës Shqiptare të Skive, një akt i rrallë përgjegjësie dhe pjekurie për një sportiste kaq të re, që dëshmon lidhjen e sinqertë me vendin e origjinës.
“Është shumë e rëndësishme për mua të përfaqësoj Shqipërinë, pasi është vendlindja e prindërve të mi dhe ndihem shumë e lumtur për këtë. Motoja ime për këto lojëra është: ‘Skijo shpejt dhe shijoje’. Dua të jap më të mirën time dhe ta përfaqësoj Shqipërinë me dinjitet”, është shprehur Lisa në një videoprezantim për Federatën Shqiptare të Skive.
Lisa Brunga do të garojë më 18 shkurt në disiplinën e Slalomit, disiplinë që ajo e konsideron si të preferuarën e saj. Pjesëmarrja në këtë moshë në një Olimpiadë Dimërore është një tregues i qartë i talentit, punës dhe vizionit afatgjatë, duke e bërë Lisën një emër për të ardhmen e sportit shqiptar.
Nga 6 deri më 22 shkurt, Shqipëria do të jetë pjesë e Olimpiadës Dimërore Milano-Cortina 2026, e përfaqësuar nga ekipi kuqezi i përbërë nga Lara Colturi, Denni Xhepa, Lisa Brunga dhe Samire Dauti. Një skuadër që nuk shkon si turiste, por me synimin për të konkurruar, për të mësuar dhe për të ngritur më lart emrin e Shqipërisë në sportin elitar botëror.
albaniaexpress.al

