Analisti Mentor Kikia: “Ktheni sytë nga prodhimi!” – Alarm për bujqësinë, ndërsa vëmendja politike mbetet te konfliktet institucionale

Analisti Mentor Kikia ka ngritur një alarm të fortë për gjendjen e bujqësisë në vend, duke kritikuar ashpër fokusin e pandërprerë të politikës dhe debatit publik te përplasjet institucionale, ndërkohë që prodhimi vendas po shkon drejt kolapsit.

Në një postim të tij, Kikia thekson se nga mëngjesi deri në mesnatë, diskursi publik dominohet nga Gjykata Kushtetuese, ku sipas tij, përfshihen që nga kryeministri e deri te analistët televizivë, të cilët “ndahen dysh” duke u përplasur mes tyre, ndërsa problematikat reale të ekonomisë lihen në harresë.

Ndërkohë, situata në terren për fermerët është alarmante. Në fushën e Maliqit, qindra kuintal prodhime bujqësore mbeten pa u shitur. Misër, patate, qepë dhe grurë – kulturat bazë të kësaj zone – po kalben në magazina për shkak të mungesës së tregut dhe mbështetjes. Skënder Hamzaj, fermer nga fshati Drithas, tregon se ka mbi 500 kuintal misër të pashitur, ndërsa edhe gruri mbetet stok.

Sipas Kikia-s, prodhimi vendas është “gremisur”, ndërsa fermerët e fundit që ende mbajnë kazmën në dorë po detyrohen të braktisin tokën. Ai sjell në vëmendje edhe rastin e një fshatari në Divjakë, i cili pasi kritikoi hapur qeverinë për mungesën e vëmendjes ndaj bujqësisë, u detyrua të pendohej dhe të kërkonte falje publike.

“Ku është parë dhe dëgjuar të kritikosh qeverinë në mes të fshatit?”, pyet me ironi analisti, duke nënvizuar klimën e frikës dhe heshtjes që, sipas tij, po mbizotëron në zonat rurale.

Postimi i Mentor Kikia-s shërben si një thirrje e drejtpërdrejtë për të zhvendosur vëmendjen nga konfliktet politike drejt ekonomisë reale dhe prodhimit vendas, që mbetet një nga shtyllat kryesore të mbijetesës së mijëra familjeve shqiptare.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME