Elbasani ka nxjerrë në shitje prej dy ditësh biletat për ndeshjen e radhës, duke u dhënë tifozëve mundësinë të jenë pranë skuadrës në një përballje me peshë të veçantë. Çmimet e biletave janë të përballueshme për të gjithë, ku më e lira kushton 200 lekë, ndërsa bileta më e shtrenjtë arrin në 2 mijë lekë, në varësi të sektorit të tribunës.
Interesi i tifozëve ka nisur të ndihet, ndërsa vëmendja është e përqendruar edhe te kushtet atmosferike. Nëse moti do të jetë pa reshje, pritet një prani e kënaqshme në tribuna dhe një mbështetje e fortë për verdheblutë, të cilët synojnë të shfrytëzojnë maksimalisht edhe faktorin fushë.
Klubi u ka bërë thirrje tifozëve që të blejnë biletat në kohë dhe të jenë pjesë e atmosferës në stadium, në një ndeshje ku mbështetja nga shkallët pritet të ketë një rol vendimtar për skuadrën.

