Një tjetër shembull frymëzues i përkushtimit dhe profesionalizmit në radhët e Policisë së Shtetit është vlerësuar zyrtarisht. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, i akordoi Certifikatën për Shërbime të Dalluara Komisare Enkela Deraj, Shefe e Seksionit të Burimeve Njerëzore dhe Trajnimeve në Njësinë për Kufirin dhe Migracionin “Delta Forcë” Vlorë.

Ky vlerësim vjen si mirënjohje për arritjet profesionale, përballimin me sukses të sfidave dhe përkushtimin e vazhdueshëm në detyrë, duke reflektuar standarde të larta etike dhe administrative në një strukturë kyçe të Policisë së Shtetit.
Me një karrierë të gjatë që prej vitit 2005, Enkela Deraj është sprovuar në disa fusha të shërbimit policor, duke përballuar me vendosmëri vështirësi dhe përgjegjësi të mëdha. Rrugëtimi i saj profesional është kthyer në një model suksesi dhe frymëzimi, veçanërisht për gratë dhe vajzat që shërbejnë në Policinë e Shtetit.
Si pjesë aktive e Shoqatës së Grave në Policinë Shqiptare, Komisare Deraj kontribuon në mënyrë të vazhdueshme për fuqizimin, mbështetjen dhe inkurajimin e kolegeve, duke promovuar barazinë, solidaritetin dhe zhvillimin profesional.
Ky vlerësim konfirmon rolin dhe ndikimin pozitiv të grave në strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit, si dhe rëndësinë e përkushtimit dhe profesionalizmit në shërbim të ligjit dhe qytetarëve.

