Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi pasditen e sotme se aksi rrugor Elbasan-Qafë Thanë është hapur për qarkullimin e mjeteve pas bllokimit që zgjati disa orë për shkak të rrëshqitjes së masivit të dherave nga shpatet në trupin e rrugës.
Bllokimi ndodhi në segmentin Librazhd-Prrenjas, rreth 3 km larg Librazhdit, në fshatin Dragostunjë, ku si rezultat i reshjeve të dendura u shkëput masiv dherash dhe shkëmbinjsh nga shpati i sipërm i hekurudhës duke bllokuar totalisht hekurudhën dhe rrugën poshtë saj.
Policia Rrugore së bashku me Autoritetin Rrugor Shqiptar po bëjnë menaxhimin e trafikut, duke kërkuar edhe mirëkuptimin e qytetarëve që kanë pritur për disa orë, për mbarëvajtjen e qarkullimit.
Më herët, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, bëri me dije se kompania kontraktore e mirëmbajtjes së aksit rrugor Librazhd-Qafë Thanë dhe ARRSh u angazhuan për zhbollikimin e rrugës.
Sipas MIE-s, menjëherë kontraktorët janë angazhuar me 6 eskavatorë, 2 fadroma dhe punonjës për hapjen e rrugës sa më shpejt që të jetë e mundur.
Prej disa orësh, aksi rrugor Elbasan – Qafë Thanë u bllokua pas rrëshqitjes të masivit të dherave, që pengoi qarkullimin e automjeteve në të dy drejtimet.

