Nga Adrian Rakipi ,Athinë
Europa vazhdon të vetëquhet hapësira e të drejtave të njeriut, e demokracisë dhe e barazisë. Por përtej deklaratave zyrtare dhe dokumenteve solemne, realiteti në terren tregon një tjetër fytyrë: një Europë që mat vlerën e njeriut sipas origjinës, gjuhës dhe kulturës, duke legjitimuar racizmin e heshtur përmes ligjeve dhe politikave selektive.
Emigrimi dhe imigrimi janë kthyer në filtra ideologjikë, jo në procese njerëzore. Lëvizja e lirë, një nga shtyllat e projektit europian, funksionon me standarde të dyfishta. Për disa është e drejtë themelore, për të tjerë është kërcënim. Ky dallim nuk ka asnjë bazë biologjike apo morale, por ushqehet nga frika, populizmi dhe interesa politike afatshkurtra.
Europa nuk ka problem me lëvizjen e njerëzve; ajo ka problem me këta njerëz. Me gjuhën e tyre, zakonet e tyre, emrat e tyre. Kjo është thelbi i racizmit modern: jo gjithmonë i zhurmshëm, jo gjithmonë brutal, por i institucionalizuar. I kodifikuar në ligje, procedura dhe narrativa që normalizojnë përjashtimin.
Më shqetësuese është mënyra se si këto politika gjejnë mbështetje popullore. Qeveri të ndryshme, duke u fshehur pas vullnetit të shumicës, miratojnë legjislacione që cenojnë barazinë dhe dinjitetin njerëzor. Ideologjitë ekstreme, të majta dhe të djathta, ushqehen nga e njëjta burim: frika ndaj “tjetrit”. Dhe kjo frikë shndërrohet në ligj.
Emigrantët, të detyruar të provojnë vazhdimisht vlerën e tyre, kërkojnë vetëm atë që Europa pretendon se garanton: drejtësi të barabartë, trajtim paanësor dhe respekt për dinjitetin njerëzor. Pa këto, integrimi mbetet një slogan bosh, ndërsa shoqëritë europiane humbasin vetë themelet morale mbi të cilat janë ndërtuar.
Europa ndodhet sot përballë një prove historike. Ose do të vazhdojë të ndërtojë mure fizike dhe mendore mbi antivlera, ose do të pranojë se përparimi i vërtetë nuk vjen nga përjashtimi, por nga barazia. Në një shoqëri që synon zhvillim dhe qytetërim, askush nuk është i tepërt. Përndryshe, racizmi nuk do të jetë më një devijim ,por një politikë zyrtare.

