Gvozdenoviç para Partizanit: “Një tjetër derbi, do të bëjmë maksimumin për fitore”

Elbasani luan sot ndaj Partizanit me shpresën për të dalë me tri pikë dhe për t’u ngjitur, të paktën për 24 orë, në krye të renditjes. Duket se situata në kampin elbasanas është pozitive pas fitores ndaj Dinamos dhe skuadra kërkon patjetër të vazhdojë këtë ecuri pozitive në kampionat, për të mos humbur ritmin me ekipet e kreut. Klima në ekip vlerësohet shumë e mirë edhe nga stafi teknik. Kjo ndeshje shihet si një test i rëndësishëm për vazhdimësinë e sezonit. Në lidhje me këtë përballje, ka folur trajneri i Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç. Ai vlerëson të kuqtë, duke e parë këtë duel si një ndeshje të fortë, por thekson se Elbasani do të bëjë maksimumin për të dalë me fitore. Trajneri shfaq besim te skuadra e tij dhe përgatitja e bërë gjatë javës. Sipas tij, ekipi është gati edhe nga ana fizike. “Unë do ta cilësoja si një tjetër derbi, pas atij me Egnatian dhe Dinamon. Luajmë kundër Partizanit, një skuadre shumë agresive që vrapon shumë. E shoh si një ndeshje interesante dhe të fortë. Di të them që ne jemi gati, situata është e mirë dhe do të presim të shohim se çfarë do të na rezervojë ndeshja”, u shpreh fillimisht trajneri i skuadrës së Elbasanit.

AFRIMI I RI – Në vijim, Gvozdenoviç është ndalur edhe te afrimi më i ri në skuadër, Isak Boje. Ai vlerëson senegalezin për cilësitë që ka dhe shpreh besimin se do të përshtatet mirë te Elbasani. Trajneri thekson se lojtari ka potencial për t’i dhënë alternativë repartit ofensiv. Gjithsesi, kërkohet durim për ta parë në formën e tij më të mirë. “Boje ka vetëm dy ditë që stërvitet me ne. Janë shumë pak, por gjithsesi ka treguar se ka cilësi dhe është një lojtar interesant. Do të flasim më vonë, sepse kemi nevojë edhe për pak kohë, por edhe me kaq pak ditë ka treguar se është një futbollist me cilësi”, vijoi më tej kreu i pankinës elbasanase.

PARTIZANI – I pyetur nëse e sheh Partizanin si një rival për “Final 4”, Gvozdenoviç pohon se për Elbasanin të gjithë janë rivalë. Ai e sheh çdo kundërshtar si një mundësi për të marrë pikët maksimale, pasi skuadra ka detyrimin të japë maksimumin për fanellën që përfaqëson. Trajneri nuk preferon të bëjë llogari afatgjata. Fokusin e mban vetëm te ndeshja e radhës. “Për ne çdo kundërshtar ka vlerë dhe i vlerësojmë të gjithë. Nuk mendojmë për ‘Final 4’ apo gjëra të tjera. Mendimi ynë është vetëm sesi do të luajmë mirë dhe shohim vetëm ndeshjen dhe kundërshtarin e radhës. Është Partizani, kanë respektin tonë maksimal, por ne jemi Elbasani dhe mendojmë vetëm për pikët. Si do të luajmë në fushë, si do të luftojmë dhe kemi një detyrim që gjithmonë të japim maksimumin për fanellën e Elbasanit”, pohoi Ivan Gvozdenoviç.

KREU – Elbasani ka mundësinë që, të paktën për 24 orë, të jetë në krye të renditjes nëse fiton, pasi Vllaznia dhe Egnatia luajnë një ditë më pas. Megjithatë, Gvozdenoviç shmang çdo koment për këtë pjesë, duke e pasur mendjen vetëm te përballja me Partizanin. Ai nuk dëshiron që skuadra të shpërqendrohet. Për të, renditja vjen si pasojë e lojës së mirë. “Të them të drejtën, jo. Ne mendojmë vetëm për Partizanin dhe si të bëjmë maksimumin në fushë. Ky është mendimi ynë si ekip, pa menduar se çfarë do të bëjnë të tjerët”, mbylli prononcimin e tij për gazetën trajneri i skuadrës së Elbasanit.

LËR NJË KOMENT

Shkruani komentin
Vendosni emrin tuaj

Ndaje me miqte

Lajmet e fundit

LAJME TË NGJASHME

Partia politike dhe shoqëria

  Kërkesa e vazhdueshme e shoqërisë për progres ushqen vullnetin...