Një aksident rrugor me pasoja tragjike u regjistrua këtë të hënë në aksin Kabash–Porocan të Bashkisë Gramsh, pranë fshatit Bardhaj, ku një mjet tip kamionçinë ka dalë nga rruga dhe ka rënë në humnerë nga rreth 70 metra lartësi, duke sjellë bilanc me pasoja të rënda në njerëz.
Sipas informacioneve zyrtare, në automjet udhëtonin tre persona, pjesë e personelit të shërbimit në zonat rurale: një mësuese, një infermiere dhe drejtuesi i mjetit. Si pasojë direkte e rënies së mjetit në humnerë nga 70 metra, infermierja Dëshira Kapo Hoxha, 43 vjeçe, ka humbur jetën.
Mësuesja Albana Besim Boja, 40 vjeçe, ka mbetur e plagosur rëndë dhe është transportuar fillimisht për ndihmë mjekësore, për t’u dërguar më pas në gjendje kritike drejt Spitalit të Traumës në Tiranë, ku po merr trajtim intensiv. Ndërkohë, drejtuesi i kamionçinës, Shaban Demir Kotorri, 39 vjeç, i cili drejtonte mjetin me targë AA 661 CN, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Gramshit.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje mbërritën forcat e policisë, shërbimet zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencës. Për shkak të terrenit të vështirë dhe humnerës së thellë, ndërhyrja për nxjerrjen e të plagosurve ka qenë e ndërlikuar dhe ka zgjatur për disa kohë.
Fillimisht u raportua se në aksident kishin humbur jetën dy persona, por pas verifikimeve në vendngjarje nga policia dhe zjarrfikësit, u konfirmua se bilanci përfundimtar ishte një viktimë dhe dy të plagosur rëndë. Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se konfuzioni fillestar lidhej me deklarimin e drejtuesit të mjetit, i cili ishte në gjendje të komunikonte para se të futej në sallën e operacionit dhe kishte raportuar se mësuesja dhe infermierja kishin ndërruar jetë.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit, ndërsa paraprakisht dyshohet se kushtet e vështira të rrugës, mungesa e elementëve mbrojtës dhe terreni i thyer malor mund të kenë ndikuar në humbjen e kontrollit të mjetit, duke çuar në rënien fatale të kamionçinës në humnerë nga 70 metra lartësi.

