Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla zhvilloi sot një vizitë në Tropojë, ku u ndal në një dëgjesë të hapur me fermerë të zonës, në fokus të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2026.
Ministri Salla bëri të ditur se takimi shërbeu për të diskutuar drejtpërdrejt mbi ndryshimet e parashikuara në skemë, sektorët prioritarë dhe mënyrën se si mbështetja shtetërore duhet t’u përgjigjet realisht nevojave të terrenit.
Sipas tij, dëgjesat me fermerët janë një hap thelbësor për të ndërtuar politika më të drejta dhe më efektive, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
“Synimi i ministrisë është ndërtimi i një skeme me rregulla të barabarta për të gjithë përfituesit, e përafruar me politikat bujqësore të BE-së, që garanton pagesa të drejta dhe rrit konkurrueshmërinë e sektorit bujqësor”, u shpreh ministri Salla.
Rreth 62 mijë fermerë në gjithë vendin janë mbështetur deri më sot në kuadër të Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi.
Skema ofron mbështetje për tufën bazë të matrikulluar (gjedhë dhe të imta), bletarinë, fara, fidanë dhe inpute të tjera, bimët mjekësore dhe aromatike, fermat organike, certifikimin Global Gap, si dhe mbështetje me naftë për punimet e mekanizuara në bujqësi.

