Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë përmes një mesazhi këshilloi qytetarët amerikanë lidhurr me protestën e thirrur nga opozita, që mbahet sot pasdite para Kryeministrisë.
Në njoftimin e ambasadës njoftohen qytetarët amerikanë se protestuesit planifikojnë të mblidhen pranë godinës së Kryeministrisë, e cila ndodhet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit, midis Sheshit Nënë Tereza dhe Sheshit Skënderbej”.
Ambasada e ShBA-ve në Tiranë thekson se pritet të ketë prani të shtuar të policisë, mbyllje rrugësh dhe ndërprerje të trafikut. Gjithashtu, Policia e Shtetit Shqiptar ka njoftuar se protestuesit mund të bllokojnë kryqëzime në pjesë të ndryshme të qytetit të Tiranës.
Sipas njoftimit, personeli i ambasadës së ShBA-së është këshilluar të shmangë protestën.
“Ndiqni mediet lokale dhe zbatoni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit për informacionin më të fundit. Edhe pse protestat dhe tubimet e mëdha shpesh fillojnë në mënyrë paqësore, situatat mund të ndryshojnë shpejt”, nënvizohet në njoftim.
Ambasada e ShBA-ve, në mesazhin zyrtar udhëzon shtetasit amerikanë në Tiranë që të shmangin zonat e protestave.
Ambasada bën thirrje për vigjilencë dhe dhënie përparësie ndaj sigurisë së gjithsecilit.
Njëherësh, ambasada e ShBA-ve këshillon shtetasit amerikanë që të shmangin këtë ngjarje, të jenë të vetëdijshëm për rrethanat e tyre, të kufizojnë shpërqendrimet si telefonat ose kufjet në ambiente publike, të ndjekin mediat lokale, të kenë një plan emergjence ose strategji daljeje, si dhe të mbajnë një profil të ulët.

